E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tom Jones, burri që nuk plaket kurrë

Djali i një minatori, me zë zezaku dhe tepër i dashuruar me të shoqen: “Flirtet me vajzat e tjera janë thjesht gojëdhëna. Nuk e kam tradhtuar kurrë bashkëshorten time”, thotë. Në skenë prej gjysmë shekulli, “luani” nga Uellsi sot këndon nëpër kisha

Një buzëqeshje dhe vajzat çmenden pas tij. Tom është 70 vjeç, ndërsa ato 20, 25, 30 vjeçe maksimumi. Janë të gjitha në ekstazë, ndërkohë që zoti “Sex Bomb” këndon në një kishë të transformuar në një klub trendi këngët fetare të CD-së së tij të fundit, “Praise & Blame”. Spektatorët e pranishëm në sallë pëshpëritin me njëri-tjetrin për talentin e artistit. “Tani që nuk i lyen më flokët dhe po mban dietë, është një bombë e vërtetë”, thotë një bionde, e cila me celularin në dorë shkrep njëra pas tjetrës fotot. “Jam e bindur që ai ka bërë për vete shumë femra...”, thotë një tjetër dhe fillon të numërojë flirtet e Tom-it që kanë përfunduar në faqet e para të gazetave rozë: Mary Wilson, pjesëtarja e grupit “Supremes”, “Mis bota” Marjorie Wallace dhe Cassandra Peterson, e cila rrëfeu se kishte humbur virgjërinë pas një raporti të shfrenuar seksual me ish-minatorin dhe më pas kishte shkuar në spital. “Këto janë legjenda”, mërmërit Tom Jones i ulur në suitën e një hoteli. “Në fakt, në mënyrën time unë i kam qëndruar gjithmonë besnik familjes. Meqë ra fjala, po ju prezantoj edhe djalin tim, i cili quhet Mark”, përfundon ai, duke i dhënë fund në një farë mënyre “legjendave” që tregohen për të. Në fakt nuk është mirë të flasësh për tradhti bashkëshortore përpara djalit, por Mark Woodward (Tom Jones, emri i plotë i të cilit është Thomas John Woodward), i cili prej 1986-s është menaxheri i tij, duket shumë i përkushtuar pas babait. Por “luani i vjetër” është në formë perfekte, fytyrën e ka si të një 40-vjeçari (“kam bërë ndonjë ndërhyrje të vogël, por asgjë me rëndësi”), gjallërinë e një djaloshi dhe një zë të mrekullueshëm. Mes babait dhe djalit ka 17 vjet diferencë, Tom ishte vetëm 16 vjeç kur shoqja e tij e shkollës, Linda Trenchard, mbeti shtatzënë. Bënë një ceremoni të vogël familjare dhe që atëherë nuk janë ndarë më kurrë. “Gruas sime nuk i ka pëlqyer kurrë fama, madje me kalimin e viteve është bërë agorafobike, qëndrimi mes njerëzve e bën të ndihet keq”, thotë Jones.

Kur jetonte në Las Vegas punonte shumë, jepte dy spektakle në ditë dhe pjesën tjetër e kalonte me Elvisin duke treguar barsoleta dhe duke kënduar në dhomë. “Elvisi më thoshte shpesh, pse nuk bën një ‘CD me fjalët e Krishtit’. E bëra tani, pas dyzet vjetësh dhe dëshiroja ta këndoja këngën ‘Run On’ pikërisht duke menduar për të. Mbretit i rokut po përjetonte një periudhë jo shumë pozitive kur erdha në Las Vegas. Ishte i çuditur dhe pak i inatosur nga energjia e performancave të mia në ‘Flamingo’ dhe ‘Caesars Palace’. Gjatë një koncerti në ‘Hollywood Bowl’, Elvisi iu drejtua publikut dhe i tha: Mos harroni, unë kam më shumë disqe të arta se kushdo tjetër në botë, përfshi këtu Tom Jones dhe ‘Beatles’ të marrë së bashku”, kujton këngëtari. Një ditë pas citimit të asaj fraze përfundoi në të gjitha faqet e para të gazetave. Në vitet ’60 muzika angleze pushtoi botën. “Beatles” ndryshuan perspektivën e muzikës pop, që deri në atë kohë e kryesonte Amerika. Pas daljes së tyre në “Ed Sullivan show”, muzika pop amerikane “humbi sërish terren” dhe këtë gjë Elvisi nuk e kapërdinte dot. “Vetëm pas dhjetë vitesh miku i tij i ngushtë George Klein më rrëfeu se Elvisi ishte shumë xheloz, sepse rrinte me mua dhe vinte në dhomën time për të zbuluar ‘të fshehtat e anglezëve’. Në atë kohë isha në formën time më të mirë, jepja shfaqje në të gjithë botën. Inati i tij shtohej dita ditës. Elvis ishte rob i trekëndëshit Memfis-Los Anxhelos-Las Vegas”, thotë Jones. Biografët e Presley-t tregojnë se “Mbreti” përfitonte nga situata kur Jones ishte në banjë dhe kontrollonte shtëpinë e tij për të gjetur ndonjë gjë komprometuese. “Janë legjenda”, thotë sërish Tom. “Elvisi intrigohej më shumë nga zëri im sesa nga burrëria. Kishim të kaluar të njëjtë. Edhe unë çmendesha për muzikën që luhej nëpër kisha, bluzin dhe kauntrin. Një herë në shkollë këndova ‘The Lord’s Prayer’ dhe kur mbarova mësuesja më pyeti: ‘Pse këndon si zezak?’ - dhe unë iu përgjigja: Nuk e di, kështu e kam zërin”. Në moshën 13-vjeçare zëri sapo kishte filluar t’i piqej. Tom tregon se do kishte përfunduar në minierë nëse tuberkulozi nuk do ta detyronte të qëndronte dy vjet rresht në shtrat. I mbyllur në shtëpi, shoqëruesit e vetëm ishin radioja dhe këngët. Kur u rikthye në shkollë, kishte një ëndërr dhe qëllim të vetëm, të bëhej këngëtar. “Në Amerikë albumi im i parë u transmetua vetëm nga radiot e zezakëve”, tregon Tom. “Kur mora pjesë në ‘Ed Sullivan show’, dixhejt filluan të më fërkonin kokën, sepse nuk më kishin parë kurrë nga afër dhe mendonin se isha një këngëtar me ngjyrë. Vetë Otis Redding më tha se e mësoi që isha i bardhë vetëm ditën që u takuam personalisht”.

Djali i një minatori, Tom Jones bëri një rrugëtim të gjatë në Kardif dhe rrethinat e tij para se të zbarkonte në Londër dhe të fillonte një karrierë të shkëlqyer prej njëqind milionë disqesh të shitura. Zakonisht karrierat brilante zgjasin gjysmë shekulli dhe kanë ulje-ngritje. Për Tom Jones kriza filloi në fund të viteve ’70, me “perëndimin” e muzikës pop britanike. Me kokën ulur, u përball me realitetin. Rilindja filloi në fund të viteve ’80: kanali MTV, i tërhequr nga videoklipi i këngës “Kiss”, i hapi dyert dhe Tom Jones u bë sërish një “seks simbol”. Që nga ajo kohë u fuqizua edhe më shumë, sidomos pas këngës hit “Sex Bomb”. “Unë vij nga miniera, nuk jam ndier kurrë i përdorur, i manipuluar ose i mbytur nga ‘star system’. Kam qenë gjithmonë me këmbë në tokë. Të jesh këngëtar është privilegj, nuk mund të pretendosh të jesh numri një për pesëdhjetë vjet rresht. Elvisi më thoshte gjithmonë: ‘çfarë droge përdor për të qenë në formë?’ - ndërsa unë i përgjigjesha: ‘Jam në formë, sepse nuk pi asgjë, më pëlqen të konsumoj ndonjë pije alkoolike, por vetëm kaq’. Dhe nëse vodka më bën keq, nuk pi më për një ose dy muaj. Kam pasur gjithmonë respekt për punën time, sepse vi nga një familje e varfër me parime dhe tradita. Dita më e lumtur e jetës sime ka qenë kur im atë më tha: ‘Nuk do të vish më në minierë’”, përfundon Tom.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›