E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cameron dhe receta e tij për të rinjtë britanikë

Britania e Madhe është në valën e një sërë ndryshimesh të promovuara nga Kryeministri i ri i konservatorëve, David Cameron. Një prej tyre ka të bëjë me përpjekjet për të ndryshuar një nga plagët e Britanisë, atë të alkoolizmit të një pjese të madhe të rinisë dhe jo vetëm kaq. Bëhet fjalë për fytyrat e shfytyruara të miliona të rinjve, bijve të një strukture sociale që detyrojnë një numër të madh të vegjlish të hyjnë në periudhën e adoleshencës përmes përvojave të një jete të ekzagjeruar dhe madje edhe të dhunshme në shumë raste.

Janë vajza 11 – 12-vjeçare që kryejnë marrëdhënien e parë seksuale në këtë moshë shumë të hershme dhe për më tepër me bashkëmoshatarët e tyre. është një brez, që si çdo brez tenton të imitojë prindërit, por në këtë rast prindërit janë ca pijanecë që i kalojnë netët me birra dhe me qetësues, për shkak të streseve që nuk i përballojnë dot. Bëhet fjalë për një realitet ku fëmijë të moshave 13 – 14-vjeçare vijnë vërdallë nëpër qytet dhe periferitë e tij, të armatosur me thika të mprehta e të mëdha si mafiozët italianë njëherë e një kohë për të vjedhur dhe për të terrorizuar njerëzit që takojnë. Dhe kjo situatë bëhet edhe më e keqe nga dasitë e mëdha etnike, mes feve dhe kombësive në një Britani të Madhe shumëngjyrëshe. Janë sjellje ku ndërthuren edhe problemet e emigracionit, por mbi të gjitha problemet e parave, që për këta adoleshentë nuk janë kurrë mjaftueshëm. Bëhet fjalë për para që të shërbejnë për ndryshimin e jetës së tyre për sa u përket objektivave dhe kalimit të kohës së lirë, parave për të siguruar mbi të gjitha një shkollim të mirë dhe një banim të denjë, për të krijuar familje normale që të arrijnë t’i mbajnë fëmijët e tyre sa më larg degradimit dhe kotësisë.

David Cameron, përgjatë tentativës së tij të gjatë për të ardhur në pushtet, që 5 vjet më parë kur ishte lideri i konservatorëve atëherë në opozitë, kishte premtuar se do të kishte bërë patjetër diçka për më të rinjtë me të ardhur në pushtet. Dy ditë më parë duket se momenti për të mbajtur një pjesë të premtimit të tij ka ardhur, pasi ai ka përcaktuar më mirë sfidën dhe vizionin e tij. Kështu, sipas planeve kërkon që të shpenzojë 590 milionë sterlina për krijimin e një shërbimi, ose më mirë për krijimin e “kampuseve civile”, në të cilat do të stërviten mijëra adoleshentë britanikë për një periudhë kohore prej tri javësh, gjatë periudhës së pushimeve verore.

Qëllimi i kësaj iniciative është ndihma që duhet t’u jepet këtyre fëmijëve dhe të rinjve për t’u integruar. Javën e parë të rinjtë do ta kalojnë larg shtëpisë, duke kryer veprimtari në ajër të pastër, më pas një javë do ta kalojnë duke studiuar disiplina të ndryshme në një kampus universitar dhe së fundi gjatë javës së tretë, fëmijët do të merren me veprimtari bamirësie në komunitetet e tyre lokale. Ky është një projekt pilot, që ka filluar tashmë të implementohet, madje ka filluar edhe për një numër fëmijësh të periferive po fillimisht jo nga qeveria, por nga një shoqatë joqeveritare, shoqata e filantropit anglez e Lord Weiy, që është edhe njeriu që qëndron pas sloganit të famshëm të Cameron “Shoqëria e Madhe”, mantra e liderit konservator e tani edhe të qeverisë, të cilën ai e nxori dhe e mbështeti me forcë gjatë fushatës zgjedhore dhe që përmbledh e përcakton linjat e politikës së tij sociale. Craig Morley, drejtori i kësaj inicative thotë se 3-javëshi do të shërbejë si një periudhë kalimtare çlodhjeje dhe reflektimi mes një klase dhe një tjetre në periudhën e pushimeve për të rinjtë e adoleshentët dhe mbi të gjitha si një ritual i kalimit nga adoleshenca në moshën e rritur. Ideja dhe konceptimi i këtij aktiviteti është bërë duke pasur parasysh idenë e diversitetit dhe larmisë së individëve të kësaj moshe që vijnë nga shtresa të ndryshme shoqërore. Jo të gjithë e mbështesin dhe kanë besim te Cameron dhe receta e tij. Por idetë e Cameron që fokusohen jo vetëm në ndryshimin e realiteteve për më të rinjtë, por edhe për shoqërinë në tërësi nuk përfundojnë këtu. Ai ka një plan të madh ristrukturues, që kërkon edhe financa të mëdha, por në radhë të parë synon rindarjen e pushtetit dhe përfshirjen e masave në qeverisje dhe llogari kërkim të drejtpërdrejtë të qeveritarëve dhe politikëbërësve.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›