E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i arsimit të lartë, kërkohet rishikim

Universitetet pranojnë se është marrë mendimi i tyre për disa pika, por kërkohen amendime për disa pasaktësi

Parlamenti ka miratuar ndryshimet në ligjin e arsimit të lartë, ndërsa nenet e amenduara janë duke u shqyrtuar nga universitetet, për mënyrën dhe specifikat e implementimit. Kështu, nga njëra anë rektorët e kanë përshëndetur iniciativën e Komisionit të Informimit dhe Ministrinë e Arsimit për marrjen parasysh të disa prej sugjerimeve. Por sipas tyre ka disa pika që kanë nevojë për rishikim. Kjo lidhet me autonominë e universiteteve, por edhe me ciklet e studimit.

Ciklet e studimit

Sipas Universitetit të Tiranës, duhet të ketë pasur një keqkuptim aty ku thuhet se të gjithëve atyre që kanë mbaruar studimet katërvjeçare u ekuivalentohet diploma me master shkencor. Ndërkohë që me master shkencor ekuivalentohet edhe masteri i nivelit të dytë. Lidhur me këto pika do të kërkohet që me konsensus dhe qetësi të realizohet edhe rishikimi i tyre, kjo duke marrë edhe një herë parasysh kërkesat e universiteteve. Miratimin nga Parlamenti të ndryshimeve që iu bënë ligjit të arsimit të lartë e kanë përshëndetur dekanatet, por edhe profesorët e universiteteve. Por, miratimi i ndryshimeve në ligjin e arsimit të lartë ka kufizuar fushat ku kryhen specializimet. Kështu lihen në fuqi specializimet në degën e Mjekësisë, dhe magjistraturë në degën e Drejtësisë. Universiteti i Tiranës përshëndet vendimin për ndryshimin e pikave të kontestuara në projektligjin e arsimit të lartë. “Komisioni i Edukimit ka ndryshuar ato nene që rregullojnë marrëdhëniet me studentët, në përputhje të plotë me propozimet e Universitetit të Tiranës. Universiteti i Tiranës kishte kundërshtuar pak ditë më parë nenet në fjalë, që rikonvertonin diplomat e vjetra universitare 4-vjeçare dhe nuk konvertonin në diplomë, Masterat e Nivelit të Dytë”, sqaroi zyrtarisht UT-ja. Ndërkohë që pritet edhe kthjellimi për pikat që janë miratuar, si pasojë e një keqkuptimi.

Universiteti Politeknik

Për sa u takon ndryshimeve në ligjin e arsimit të lartë, Jorgaq Kaçani, kreu i Universitetit Politeknik, sqaroi se këto ndryshime janë shumë të rëndësishme, pasi ato jo vetëm unifikojnë diplomat shqiptare me ato europiane, për nga përmbajtja cilësore dhe titujt, por përfshijnë dhe sistemin e seleksionimit, duke dalluar studentët më të mirë. “Matura Shtetërore bën një proces seleksionimi të të gjithë kandidatëve që pretendojnë të futen në universitet. Pasi mbarojnë Bachelor, përfshihet sistemi përsëri i seleksionimit dhe dy mastera. Kemi mastera shkencorë dhe mastera profesionalë. çka do të thotë që në master shkencor do të bëhet një seleksionim mbi bazën e rezultateve që studentët kanë arritur në nivelin e parë, në Bachelor”, tha Jorgaq Kaçani, rektor i Universitetit Politeknik. Kaçani sqaron se ndryshimet që iu bënë ligjit të arsimit të lartë nuk e cenojnë aspak autonominë e universiteteve, madje çdo strukturë përbërëse e institucioneve forcohet duke marrë rolin përkatës. “Forcohet autonomia e universiteteve. Nuk jam me atë që është folur deri më sot, që cenohet autonomia e universiteteve, që e shohin autonominë e universiteteve midis marrëdhënieve qeveri-universitet deri në nivel rektori. Përkundrazi, ndryshimet që bëhen në ligjin e arsimit të lartë e risin autonominë e universiteteve brenda universitetit, duke e çuar këtë autonomi deri te njësia bazë që është departamenti”, sqaroi kreu i Politeknikut.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›