E Diel, 1 Nëntor 2026

Studenti i Mjekësisë gjendet i vetëvarur në një pemë

Mariglen Veizi mendohet se i ka dhënë fund jetës, pasi kishte prishur shumën e parave prej 50 mijë lekësh që i ati ia kishte dhënë për fillimin e vitit shkollor

Korçë Ishte deklaruar i zhdukur prej katër ditësh, ndërsa pasditen e djeshme ka qenë xhaxhai i tij, i cili e kishte gjetur të varur në një pemë. Mariglen Veizi, student në vitin e dytë të Mjekësisë në kryeqytet, është gjetur i vetëvarur në fshatin Sheqeras të Korçës. Lajmi ka tronditur familjen e tij që banon në lagjen 18 të qytetit të Korçës, pasi ka humbur djalin e vetëm.

Zhdukja

Disa ditë më parë, 24-vjeçari Mariglen Veizi ishte larguar nga shtëpia e tij dhe kishte shkuar në drejtim të fshatit Sheqeras për të kaluar disa ditë pushime te gjyshërit e vet para fillimit të vitit të ri shkollor. E ndërsa prindërit e tij, Bahri dhe Mjaftore Veizi e dinin se djali i tyre ndodhej në fshat, kërkonin të flisnin me të në telefon, por numri i tij rezultonte i fikur. Të shqetësuar nga mospërgjigja, ata janë lidhur me të afërmit e tyre, të cilët e kanë konfirmuar zhdukjen dhe më pas i janë drejtuar Komisariatit të Korçës, ku kanë deklaruar se prej 4 ditësh nuk kishin asnjë njoftim për të. Menjëherë familjarët kanë nisur kërkimet për të gjetur 24-vjeçarin, por xhaxhai i tij është përballur me një fakt shumë të dhimbshëm, pasi e ka gjetur atë të varur në një pemë, pak kilometra larg banesës së tyre. Pamja ka qenë shumë shokuese për të dhe ka lajmëruar policinë e Korçës, e cila ka mbërritur në fshatin që ndodhet 20 kilometra larg qytetit. Sipas burimeve nga policia lokale mësohet se në trupin e viktimës nuk janë gjetur shenja dhune, ndërsa mendohet se kemi të bëjmë me një vetëvarje.

Motivet

Ngjarja ka qenë shokuese si për familjarët, ashtu edhe për të njohurit e studentit të Mjekësisë. Sipas deklaratave që kanë dhënë në polici, familjarët kanë pohuar se djali i tyre ka qenë me nota të shkëlqyera dhe nuk kishte probleme me shkollën. Madje ata kanë pohuar se nuk kanë as probleme ekonomike, arsye këto që mund ta kenë çuar atë drejt vetëflijimit. Familjarët kanë thënë se ai nuk kishte shfaqur shenja depresioni. Ndërkohë, babai i viktimës, Bahri Veizi, gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se i kishte dhënë të birit një shumë prej 50 mijë lekësh, të cilat do t’i përdorte për t’u regjistruar në universitet për vitin e ri akademik. Ndoshta ai mund ta ketë prishur këtë shumë dhe nuk ka ditur se si ta justifikonte tek prindërit. Ndërsa sipas shokëve të tij, ai ishte një djalë shumë i qetë dhe student shumë i mirë, vetëm se ishte tip i mbyllur në vetvete dhe nuk fliste shumë për veten. Edhe pse dëshmitë e marra nga policia kanë hedhur dritë mbi ngjarjen, ende nuk është përcaktuar se cili ka qenë motivi që ai i ka dhënë fund jetës. Për fat të keq, rastet e vetëvrasjeve janë të shumta në juglindje të vendit. Sipas bilancit të policisë lokale, nga muaji janar dhe deri në këto momente, vetëvrasjet në shkallë qarku kanë kaluar numrin e 27 personave. Specialistët thonë se në shumë raste shkak bëhet gjendja e rënduar ekonomike e viktimave, por ka dhe arsye të tjera që janë të natyrave të ndryshme.

Irena Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›