E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorja gjermane Holtkemper: Shqipëria ka ende shanse për statusin

21-12-2012 / Gazeta 55

Konferenca e Ministrisë së Jashtme, “Diplomacia publike në epokën digjitale”

Panariti: Dialogu me publikun, si shprehje e dimensionit të ri të diplomacisë publike

Shqipëria ka ende shanse për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Këtë e ka pohuar dje, gjatë një deklarate për mediat, pas konferencës “Diplomacia në epokën dixhitale”, Carolla Muller-Holtkemper, Ambasadore e Gjermanisë në vendin tonë. Sipas saj, vendi ynë duhet të kryej reformat dhe të miratojë tre ligjet e kërkuara nga Brukseli. “Shqipëria humbi një mundësi për të marrë statusin e BE-së, por nuk është çdo gjë e humbur, pasi kërkohet realizimi i reformave në luftën kundër korrupsionit dhe miratimi në Kuvend i tre ligjeve të kërkuara nga Bashkimi Europian”, tha ambasadorja gjermane Muller-Holtkemper. Ndërkohë e pranishme në konferencën e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Fondacionin Hanns-Seidel, me temë: “Sfidat e Diplomacisë Publike në epokën dixhitale”, ambasadorja gjermane solli shembullin e Gjermanisë, në dixhitalizimin e diplomacisë. Fjalën e hapjes e mbajti Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, i cili, duke folur për rolin e mediave dhe të shoqërisë civile në një shoqëri të hapur demokratike, e vuri theksin në funksionin e rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm të diplomacisë publike në epokën digjitale, si dhe bashkëpunimin e ngushtë të dikasterit që ai drejton me aktorët e ndryshëm jo qeveritarë, siç janë OJQ-të, në të mirë të funksionimit të një shoqërie të hapur e demokratike dhe të proceseve integruese të vendit. 
Më pas, ministri i Jashtëm Panariti vuri në dukje se “dialogu me publikun, si shprehje e dimensionit të ri të diplomacisë publike, përfaqëson një nga aspektet më të reja dhe më thelbësore të procesit, i cili rrok të gjitha fushat me interes të ndërsjellë: atë politike, ekonomike dhe kulturore. Bashkëpunimi me të gjithë aktorët shoqërorë ka një karakter dhe impakt të fortë strategjik, duke qenë se merret me probleme të përbashkëta që ndajnë mes tyre shumë prej partnerëve socialë. Ajo çka ne sot e konsiderojmë mjaft të rëndësishme në kuadër të zhvillimeve më të fundit bashkëkohore dhe dinamikave sociale është dhënia e një profili të ri, të orientuar ndër të tjera, edhe drejt projekteve dhe rezultateve konkrete.  Ministria e Punëve të Jashtme ka luajtur dhe do të luajë krahas hartimit dhe implementimit të politikave edhe një rol  bashkërendues, ndërkohë që u takon edhe partnerëve tanë të angazhohen me projekte dhe vizione ambicioze në të gjitha hallkat e procesit”. Ndër të tjera, ministri i Jashtëm theksoi se “nuk mund të flasim për politikë të jashtme, diplomaci publike, kulturore, ekonomike, integrim pa nisur nga vetë procesi i demokratizimit të vazhdueshëm të mbarë shoqërisë sonë”. Sipas tij, falë këtij procesi, mund të themi se, e kemi zhvendosur politikën e jashtme dhe për rrjedhojë diplomacinë shqiptare nga propaganda, si element i manipulimit të opinionit publik tek informacioni korrekt dhe pozitiv. Më pas drejtori i Departamenti i Medias në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Virgjil Muçi vuri në dukje domosdoshmërinë  e ngritjes së Instituteve të Kulturës Shqiptare në kryeqytetet vendimmarrëse të politikës botërore. Sipas tij, është e rëndësishme të punohet me diplomacinë kulturore pasi kjo shërben për të shndërruar kulturën si një mjet diplomatik. Forcimi Imazhit të Shqipërisë nëpërmjet diplomacisë publike është çështje   jetike për zhvillimin e vendit.   

 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›