Tony Hayward, shefi i BP, njeriu që urrehet më shumë sot në SHBA
Jo shumë kohë më parë, shefi ekzekutiv i “British Petroleum”, Tony Hayward tha: “Unë nuk e ndiej se puna ime është në momentin më të mirë, por gjërat mund të ndryshojnë”. Dhe gjërat vërtet ndryshuan. Pas një serie gafash, përfshi krahasimin cinik mes sasisë së papërfillshme të naftës që derdhet me ujin e oqeanit të pafund dhe më pas me shprehjen “unë dua të më kthehet jeta që kisha”, të cilën e tha në një intervistë televizive, situata nuk mund të konsiderohet më e rëndë për shefin e titanit të kompanisë britanike të naftës. “Shefi ekzekutiv i BP kërkon t’i kthehet jeta që kishte para tragjedisë, ndërsa unë do të kërkoja që bordi i kompanisë të mblidhej për ta hequr atë njeri”, ka deklaruar një kongresmen amerikan i inatosur nga thëniet e Tony-t. Ndërkaq, ky i fundit duhet të përballet edhe me betejën legale të hapur nga aksionerët e BP që e fajësojnë si shkaktar të humbjes së aksioneve të tyre. Hayward ndodhet jo vetëm në krye të situatës më të rëndë ekologjike që po i shkakton Amerikës kompania e tij, por edhe në krye të situatës më të keqe që ajo ka pasur, madje një situate për jetë a vdekje. Deri tani, shpenzimet e kompanisë kanë kapur 1 miliardëshin që është harxhuar në procesin e pastrimit të oqeanit, 58 miliardë të tjera të humbura nga rënia e aksioneve dhe humbje të tjera që do të maten më vonë nga shkatërrimi i emrit dhe imazhit që i është bërë tashmë kompanisë. Kur kriza ishte në hapat e saj të parë, Hayward ishte shumë i sigurt në deklaratat e tij. Nga një hotel në Luiziana, ku ai u zhvendos sapo nisën problemet me platformën e naftës ai mori “përgjegjësinë e plotë” të asaj që po ndodhte. Por më pas nisi që të minimizonte gjithë atë që po ndodhte që nga humbjet njerëzore, sëmundjet e punëtorëve të pastrimit të brigjeve, madje mohoi edhe sasinë reale të naftës që derdhej në dhe ajo çka është më e dukshme nisi që një gjë të tillë ta bënte me një arrogancë gjithnjë e më të madhe. Në internet blogeristët e shumtë parashikojnë një sërë fundesh për shefin e BP-së: që nga burgu i gjatë, vetëvrasja, apo izolimi në një copë tokë e det të ndotur për tërë jetën. “Unë kam bërë komente lënduese dhe të pamenduara mirë. Kur kam lexuar së fundi se çfarë kam thënë jam tronditur. U kërkoj falje, veçanërisht familjeve të viktimave dhe atyre që janë dëmtuar”, ka deklaruar së fundi Hayward teksa e sheh tokën t’i rrëshqasë nën këmbë. Por kur gazetarët e kanë pyetur nëse ka ndërmend që të japë dorëheqjen ai është përgjigjur: “Do të ishte qesharake që të largohesha pikërisht në këtë moment”. Hayard, 53 vjeç, një gjeolog me profesion që ka punuar në shumë vende naftënxjerrëse në të gjithë botën para se të arrinte majat e BP dhe të bëhej shefi ekzekutiv i kompanisë më të rëndësishme të naftës në Europë në vitin 2007, është për nga natyra një person i ndrojtur. Britaniku u bë pjesë e BP pas mori doktoraturën në gjeologji në Universitetin e Edinburgut. Ka reputacionin e një njeriu energjik, të heshtur, me këmbë në tokë i ndryshëm nga pasardhësi i tij aristokrat, Lord John Brown, që e la drejtimin e kompanisë në vitin 2007 pas një skandali personal.
#