E Shtunë, 31 Tetor 2026

Top 10 shitjet e gabuara

Andrea Pirlo braktisi Milanin duke iu bashkuar rivalit Juventus ku menjëherë në sezonin e tij të parë fitoi Scudetton. Por, mesfushori italian nuk është shembulli i vetëm i një shitjeje të gabuar nga klubet evropiane të futbollit. Në listë janë edhe Fabio Cannavaro, Samuel Eto’o, Clarence Seedorf, Wesley Sneijder e të tjerë.

Andrea Pirlo është një prej simboleve të reja të Juventusit triumfues të këtij sezoni, por edhe shembull se nuk duhet shitur një futbollist kampion te një rival i drejtpërdrejtë. Transferimi i mesfushorit italian nga Milan te Juventus, është vënë si shembulli më i ri nga portali Goal.com në mesin e shitjeve më të gabuara në futbollin evropian. T’i shohim të tjerat.

Fabio Cannavaro (nga Inter në Juventus)

Fabio Cannavaro i transferuar nga Parma më 2002 për 23 milionë euro nuk dëshmohej në Interin e trajnerit Hector Cuber dhe u shit në Juventus, në marrëveshje shkëmbimi me portierin Fabian Carini.

Edgar Davids (nga Milani në Juventus)

Edgar Davids erdhi në Milan më 1996 nga Ajaxi. Luajti pak në sezonin e tij të parë në Itali e më pas iu bashkua Juventusit për rreth 6.5 milionë euro.

Samuel Eto’o (nga Barcelona në Inter)

Shkëmbimi i tij me Zlatan Ibrahimoviçin shënoi sukses historik te gjiganti milanez. Kamerunasi ishte një prej futbollistëve më meritor në triumfin e jashtëzakonshëm të skuadrës së udhëhequr nga Jose Mourinho.

Mark Hughes (nga Barcelona në Man Utd)

Kur trajner i Barcelonës ishte Terry Vanables në Nou Camp erdhi edhe Mark Hughes, por në 37 paraqitje realizoi vetëm pesë gola. U huazua në Bayern Munich e më pas u shit në Manchester United më 1988. Hakmarrja e uellsianit erdhi më 1991 kur në finalen e Kupës së Fituesve të Kupës shënoi dy herë kundër katalanëve.

Pat Jennings (nga Tottenham në Arsenal)

Pas 13 sezonesh në Tottenham, Pat Jennings u shit befasisht te rivali i qytetit Arsenali, në gusht të vitit 1977. Ai luajti për tetë stinorë me Gunners, duke u paraqitur në tri finale të FA Cup dhe bëri paraqitje të shkëlqyeshme në nivelin më të lartë.

Fernando Morientes (nga Real Madrid në Monaco)

Fernando Morientes, golashënuesi i famshëm spanjoll u shit nga Real Madridi pas ardhjes së Ronaldos. U prezantua në Monaco gjithnjë duke iu hakmor me një gol vendimtar në Bernabeu në çerekfinale të Ligës së Kampionëve më 2003.

Frank Rijkaard (nga Milan në Ajax)

Frank Rijkaard, një prej tre holandezëve të shkëlqyeshëm te Milani i Arrigo Sacchit u shit më 1993 në Ajax. Atje fitoi titullin në ligë më 1994 dhe shërbeu për golin e Patrick Kluivertit në finalen e Ligës së Kampionëve 1995 pikërisht kundër Milanit.

Clarence Seedorf (nga Inter në Milan)

Clarence Seedorf kaloi nga Real Madridi në Inter më 1999 ku pas tri sezonesh u transferua te rivali i qytetit Milan ku ka arritur suksese të mëdha deri në sezonin 2010-2011.

Wesley Sneijder (nga Real Madrid në Inter)

Reali e bleu nga Ajaxi më 2007 për 27 milionë euro, Sneijder u shit në Inter më 2009 për rreth 15 milionë euro. Mesfushori holandez ishte një prej protagonistëve kryesor në Interin e suksesshëm të Mourinhos.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›