Top Channel në Himarë, në kanalin 41 UHF
Sinjali i Televizionit Kombëtar, “Top Channel”, mbërrin në zonën e bregdetit jugor të Shqipërisë në valët UHF. Një transmetues i vendosur në zonën e Himarës ka mundësuar dje transmetimin për herë të parë të televizionit të dashur të shqiptarëve në kanalin 41 UHF. Drejtori teknik i frekuencës së lartë në “Top Channel”, Elton Poga, tha dje se pas instalimit të transmetuesit, ky televizion mund të shihet tashmë në gjithë zonën e Himarës, duke shtuar më tej audiencën e këtij televizioni, që aktualisht mbulon me sinjal 55 për qind të territorit të vendit dhe 80 për qind të popullsisë.
Transmetimi në kanalin 41 UHF përfshin zonën nga Dhërmiu deri në Lukovë. Në këtë zonë të vendit, kanalet shqiptare kanë qenë të pakta për shkak të numrit të vogël të popullsisë dhe terrenit të thyer. Me shtrirjen e sinjalit të “Top Channel”, numri i televizioneve shqiptare që shihen në zonën e Himarës shkon në katër, ndërsa numri i televizioneve greke dhe italiane është i madh dhe ka dominuar për vite të tëra në zonë.
Tashmë, banorët e Himarës dhe fshatrave të Bregut do të mund të shohin pa pasur nevojën e antenave satelitore programet e larmishme të “Top Channel” dhe të informohen në mënyrë profesionale. Stafi teknik i Televizionit Kombëtar “Top Channel” arriti të vinte në funksionim transmetuesin e Himarës pikërisht në kohën e pikut të sezonit turistik, për të plotësuar edhe kërkesat e pushuesve të shumtë nga të gjitha trevat shqiptare.
#