E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votë kundër e dy aleatëve të Berishës në Kuvend

Gjykata e Lartë Dekretet e Presidentit Topi ‘ndajnë’ Kryeministrin nga tre ministra të kabinetit dhe aleatët

Dekretet e Presidentit Bamir Topi për Gjykatën e Lartë thellojnë ndarjen e Kryeministrit Berisha nga aleatët e tij. Pas LSI-së, demokratët kanë humbur edhe votën e republikanit të vetëm në sallën e Kuvendit. Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, ka abstenuar për kandidaturën e Vexhi Muçmatajt. Duket se stina e vjeshtës për Partinë Demokratike ka ardhur përpara kohe, kur dy prej ministrave të kabinetit kanë nisur t’i bëjnë karshillëk partisë, falë së cilës fituan karrigen e ministrit. Kryeministri Berisha dhe zëvendësi i tij, Ilir Meta, nuk ndodheshin në sallë, por pavarësisht kësaj, mazhoranca humbi edhe tri vota të tjera nga deputetët e LSI-së, të cilët votuan pro kandidaturës së Vexhi Muçmatajt për anëtar të Gjykatës së Lartë. Votës pro kësaj kandidature, iu bashkua edhe kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi. Ndërsa deputeti i PD-së, Paulin Sterkaj, dhe ligjvënësi i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Dashamir Tahiri, abstenuan gjatë votimit. Opozita është larguar nga salla e Kuvendit gjatë votimit, duke e lënë mazhorancën të vazhdojë ‘betejën’ e saj brenda llojit.

Votimi për Muçmataj

Me 65 vota kundër, 4 vota pro dhe 3 abstenime, kandidatura e Vexhi Muçmatajt për anëtar i Gjykatës së Lartë është rrëzuar në sallën e Kuvendit. Për të shmangur çdo surprizë, deputetëve demokratë u është kërkuar të jenë të pranishëm pa përjashtim në momentin e votimit. Gjatë seancës parlamentare mungonte Kryeministri Berisha dhe zv.kryeministri, njëkohësisht dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta.

Debati për pasurinë

60-minutëshi i fillimit të seancës plenare krijoi tensione në Kuvend, pas fjalës së ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, për të sqaruar pasurinë e tij të vendosur brenda një viti dhe për të denoncuar pasurinë e kryetarit të opozitës.

Ministri Prifti ka “shfryrë” inatin, duke kritikuar kreun e socialistëve se merret me pasurinë e tij, në të njëjtën kohë që ai fsheh miliarda lekë. “Dallimi mes meje e tij është se unë e familja ime i kemi vënë pasuritë me ndershmëri. Ai njeri thotë është i pastrehë. Ai njeri, të nderuar kolegë deputetë, thotë se ka vetëm 3 mijë euro pasuri në bankë. Unë po ju them se 3 mijë euro kushton vetëm substanca që ai thith me hundë çdo ditë”, ka qenë akuza e ngritur publikisht nga foltorja e Kuvendit, prej deputetit Prifti ndaj kreut të Partisë Socialiste.

Në sallë është shkaktuar menjëherë tension në kampin e socialistëve, ku deputeti Taulant Balla i ka kërkuar ministrit Prifti të mbyllë gojën, ndërsa Kryetarja e Parlamentit për të sfumuar një incident të mundshëm në Kuvend, çfarë do të prishte edhe ‘paqen’ PD-PS, i ka ndërprerë fjalën dhe hequr mikrofonin ministrit, duke i thënë se të mbarojë koha. Ministri Prifti, në fund të fjalës së tij, ka përfituar nga rasti t’i kthejë përgjigje edhe qëndrimit të ashpër të deputetit Balla, të cilit i tha: “Mbyll gojën o Taulant se ti i harxhon paratë kazinove”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›