Pronat, Dukati i vë kushte shtetit

Banorët e Dukatit në Vlorë kanë ngritur strukturat e tyre për të mbrojtur pronën. Nën shembullin e banorëve të Hamallajt të Durrësit, që kanë ngritur një komitet për t’iu kundërvënë shtetit, banorët e Dukatit kanë mbledhur atë që e quajtën “Kuvendi i Madh i Dukatit” dhe i kanë vënë kushte shtetit. Plot 900 burra të Dukatit janë mbledhur disa ditë më parë dhe kanë hartuar një paketë kërkesash ultimative ndaj qeverisë, të cilat i kanë bërë publike dje gjatë një tubimi të organizuar në qytetin e Orikumit.
KërkesatBurrat e Dukatit kanë vendosur si kërkesë të parë përcaktimin e kufijve historikë dhe gjeografikë të Dukatit dhe administrimin e tyre, që do të thotë që banorët e Dukatit të kenë të drejta të plota mbi tokat e të parëve të tyre, pasi, sipas protestuesve, një vendim i Këshillit të Ministrave synon të privatizojë tokën që kanë nën administrim banorët e Dukatit.
Së dyti, dukatasit kërkojnë kthimin e pronave nëpërmjet dhënies së certifikatës së pronësisë nga ZRPP. Sipas tyre, një dokument i tillë nuk disponohet nga banorët, edhe pse ata i kanë tokat të trashëguara brez pas brezi.
Kërkesa e tretë e dukatasve i drejtohet ushtrisë, së cilës i kërkohet “heqja e menjëhershme” e postbllokut të Bazës Ushtarake të Pashalimanit dhe lejimi i turistëve për të shkuar në parkun e Orikut dhe i banorëve të Dukatit për të shkuar në Karaburun. Për shkak të bazës ushtarake, rruga për në Orik dhe Karaburun është e mbyllur dhe kalohet vetëm me një leje të veçantë nga komandanti i bazës.
Kërkesa e fundit e dukatasve, që duket edhe më e çuditshmja, është garantimi me anë të një referendumi apo ndonjë forme tjetër (?!) i paprekshmërisë së lirisë, shëndetit, jetës dhe pronës së banorëve të Dukatit nga vendimet e shtetit.
MasatSipas vendimeve të “Kuvendit të Madh të Dukatit”, nëse këto kërkesa nuk do të plotësohen, atëherë do të përshkallëzohen protestat, do të kryhet bojkotimi i zgjedhjeve vendore, si dhe çështja do të ankimohet në gjykatat ndërkombëtare.
Për të dhënë sinjalin se e kanë seriozisht, dukatasit kanë organizuar dje protestën e tyre të parë me rreth 400 pjesëmarrës në qytetin e Orikumit. Mësohet se kryetari i Bashkisë Orikum nuk i ka mbështetur banorët e fshatit Dukat në këtë nismë të tyre, por vetë këta banorë kanë deklaruar se nuk duan përfshirjen e politikanëve në veprimtari, as në kundërshtim e as në mbështetje të tyre. Dukatasit i konsiderojnë politikanët, pa dallim ngjyre, si shkaktarë të problemeve për të cilat ata janë ngritur sot.
#