E Shtunë, 31 Tetor 2026

Top Media kujton ditëlindjen e Tanit

"Gëzuar ditëlindjen Tani. Ëndrra vazhdon". Ka qenë ky urimi i mbrëmjes së 40-vjetorit të ditës së lindjes së Dritan Hoxhës, Presidentit të kompanisë mediatike më të madhe dhe më të suksesshme në Shqipëri, "Top Media Group".

Familjarë, miq, kolegë e bashkëpunëtorë, por edhe stafi i jashtëzakonshëm i makinës mediatike më moderatore në vend, kanë qëndruar së bashku në një mbrëmje të veçantë, ku Tani nuk ka munguar për asnjë çast.

Në këtë takim të posaçëm, por jo të parin dhe as të fundit, është fokusuar edhe ëndrra e madhe e Tanit të "Top"-it, për të qenë më të mirët, të parët, më të suksesshmit në sektorin mediatik, për të prekur të renë dhe modernen, për të qenë më pranë së vërtetës.

Sezoni i ri televiziv dhe paketa me programe të rinovuara të testuara suksesshëm mes publikut jo vetëm në Shqipëri, janë konceptuar si një dhuratë për këtë ditëlindje të 40-të të Presidentit të "Top Medias", Dritan Hoxha.

"Suksesi i kompanive tona vazhdon falë impenjimit, sakrificës dhe motivimit të madh, tuajit dhe tonit. Mjafton të hapësh televizorin dhe të shohësh sezonin e ri në ekranin e ‘Top Channel‘, një sezon i shkëlqyer, që përkon rastësisht, por dhe në mënyrë simbolike me 40-vjetorin e Tanit". Me këto fjalë, Vjollca Hoxha, bashkëshortja e Tanit, i është drejtuar të gjithë pjesëmarrësve në këtë eveniment.

Ajo ka theksuar se "për sa kohë, kompanitë që ai krijoi korrin sukses dhe janë të parat në fushat e tyre, edhe Tani është këtu me ne". Këto takime periodike konsiderohen tashmë si një praktikë perëndimore e rrënjosur, që me fillimet e "Top Albania Radios", më shumë se tetë vjet më parë. Me zgjerimin e kompanisë duket se janë shndërruar në një synim të qartë: të vazhdojnë të mbajnë gjallë frymën e përkatësisë, por edhe të suksesit, në një familje të përbashkët.

"Top Media Group" është një kompani e përbërë nga disa produkte të rëndësishme në tregun mediatik kombëtar. "Top Channel", guri i themelit të kompanisë në vitin 2007, afishoi për të disatin vit radhazi një bilanc financiar pozitiv. Për sezonin e ri televiziv, gama e programeve ekzistuese është pasuruar me shumë të reja.

"Shijojeni këtë natë, ashtu sikundër Tani thoshte gjithmonë", ka kujtuar Vjollca Hoxha, bashkëshortja e njeriut që jeton sërish bashkë me ëndrrën e tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›