BSH blen 6.7 miliardë lekë valutë
Mbiçmimi i lekut ndaj monedhave të huaja, si euro dhe USD, krijoi situatë të favorshme për Bankën e Shqipërisë që të rriste Rezervën Ndërkombëtare Neto. Sikurse raporton BSH-ja, tremujori i dytë i vitit ka qenë pozitiv për tregtimin e monedhës vendase. Leku ka fituar terren ndaj monedhave të huaja, si pasojë e disbalancës midis ofertës sezonale relativisht të lartë të valutës dhe kërkesës për të. Kjo disbalancë është shfrytëzuar nga Banka e Shqipërisë për të blerë valutë, në plotësim të objektivit të Rezervës Ndërkombëtare Neto. Si rezultat i ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë, të cilat kanë filluar në mes të muajit prill, gjatë tremujorit të kaluar janë shitur rreth 6.7 miliardë lekë. BSH, ndër të tjera raporton se, gjatë kësaj periudhe kanë vijuar të realizohen veprime të shitjes dhe të blerjes së valutës me Ministrinë e Financave. Shitjet e valutës, gjatë tremujorit të dytë. llogariten në 8 miliardë lekë, ndërsa blerjet ishin 317 milionë lekë. Blerjet e valutës nga institucionet e huaja llogariten në 123 milionë lekë (Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) dhe Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD).