Topalli: “Absurde dhe non sens justifikimet e opozitës për mos-heqjen e imunitetit”

Deklarata pas takimit pas takimit me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Jordanisë Abdulkarim Al Doghmi
Kryetarja e Kuvendit i bëri thirrje opozitës të votojë në 6 gusht draftin për heqjen e Imunitetit. “6 Gushti është dita, kur deputetët duhet të flasin me votë dhe jo më me fjalë”, u shpreh dje Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli pas takimit me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Jordanisë Abdulkarim Al Doghmi.
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli tha se opozita po justifikon gjithfarë instrumentesh që të mos kërkojë heqjen e imunitetit dhe theksoi se kjo është një taktikë non sens dhe e pashpjegueshme, pasi në çdo vend të botës është opozita ajo, që i kërkon mazhorancës heqjen e imunitetit. Duke iu referuar deklaratave të socialistëve për mungesë të ndëshkueshmërisë së korrupsionit, Kryetarja e Kuvendit tha se më 6 gusht është momenti, ku opozita të tregojë se e ka marrë me seriozitet luftën kundër korrupsionit.
Kemi një deklaratë të kreut të opozitës i cili shprehet se, seanca e 6 gushtit është më mirë të mos mbahet, sepse opozita nuk do të votojë…?
Të gjithë janë të interesuar për një punësim edhe më të lartë në Shqipëri. Të gjithë janë të interesuar për të pasur më shumë investitorë të huaj në Shqipëri. Më shumë investime në vend në cilëndo fushë, do të thotë më shumë punësim. Por që të kemi edhe më shumë investitorë në Shqipëri, investime të huaja direkte dhe jo vetëm, natyrisht duhet të bëjmë një luftë që nuk duhet të ketë ndërprerje dhe që e ka emrin lufta kundër korrupsionit. Dhe në qoftë se, ne këtë e marrim seriozisht dhe e kemi marrë seriozisht, natyrisht që kjo luftë bëhet në disa fusha, në disa drejtime, një prej të cilave, sipas meje është shumë e efektshme: dixhitalizimi dhe transparenca. Por nga ana tjetër po aq e rëndësishme në luftën kundër korrupsioni, është edhe heqja e velit të mbrojtjes nga çdo akuzë kundër korrupsionit, që zyrtarë të lartë në gjykatë, Parlament, apo në krye të institucioneve kushtetuese, mbajnë. Asnjeri nuk mund dhe nuk duhet ta përdorë imunitetit si një lloj strehe dhe për të vazhduar të bëjë korrupsion. Unë kam një gjë që nuk di t’i jap shpjegim. Po të isha në opozitë, unë nuk do reshtja çdo orë dhe çdo minutë, nuk do të bëja gjë tjetër, t’i kërkoja mazhorancës ashtu siç e kemi bërë prej nëntë vitesh, të hiqet imuniteti. Gjë më absurde dhe më non sens, sesa fakti që opozita të justifikojë gjithfarë instrumentetesh që të mos kërkojë heqjen e imunitetit, unë nuk kam dëgjuar gjatë gjithë jetës sime politike në Shqipëri, por edhe sa lexoj, në gjithë politikën globale. 6 gushti është një datë e caktuar në Konferencën e Kryetarëve dhe në të njëjtën kohë i është bërë e ditur seancës plenare të datës 12 Korrik, të cilën asnjë deputet nga opozita nuk e kundërshtoi. Më 6 gusht do të jetë seanca plenare e diskutimit dhe e votimit për ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit. Është një proces, që në fakt fillimet e tij i ka nëntë vite më përpara; ka një vit e gjysmë që mbi këtë proces punojnë specialistë , ekspertë të huaj të institucioneve kryesore ndërkombëtare, Euralius, PACA, Këshilli i Evropës dhe në kuadrin e projekteve të ndryshme kundër korrupsionit. Është një proces që ka filluar dhe është formalizuar në datën 6 korrik; më pas seanca plenare dhe pas kësaj, data 20 Korrik kur u mblodh Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit dhe më datën 21 Korrik, dëgjesa. Unë ndoshta nuk e kam shprehur, por sot dua të them diçka që e ndiej thellësisht. Në historinë e Parlamentit nuk ka pasur asnjëherë një dëgjesë më të gjerë , më të rëndësishme, më të suksesshme, sesa dëgjesa e datës 21 Korrik. Ishte një seancë model dhe unë shfrytëzoj rastin për të falënderuar me mirënjohje të thellë si Kryetare e Parlamentit të gjithë deputetët e Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit, por mbi të gjitha, ekspertët e huaj, ekspertët vendas, titullarët e institucioneve kushtetuese, përfaqësuesit nga bota akademike, profesorë të së drejtës, konstitucionalistë për gatishmërinë dhe seriozitetin e tyre për të bërë komentet dhe për të dhënë kontributin e tyre në një dëgjesë, që nuk ka ndodhur asnjëherë në Parlamentin e Shqipërisë dhe në politikën shqiptare. 6 gushti është momenti jo për të folur por për të vepruar. 6 Gushti nuk është momenti për ta zgjatur, por është momenti për të votuar. është momenti për të votuar ato ndryshime, për të cilat ka filluar diskutimi prej nëntë vitesh. Këtu ndahen gjërat. Por do të shtoja edhe diçka tjetër. Gjatë kësaj periudhe nga opozita është thënë dhe është folur për kulturën e pandërshkueshmërisë Unë e dëgjoj me shumë seriozitet opozitën dhe e marr seriozisht, nëse ajo shpreh diçka. Është rasti, që ata t’i qëndrojnë diskutimeve të tyre, qoftë edhe për mungesën e ndërshkueshmërisë në disa raste apo edhe në shumë raste në nivele të ndryshme, në qoftë se e kanë seriozisht . Në qoftë se ata gënjejnë kësaj radhe natyrisht, do të marrin koston që i takon politikanit, kur vepron ndryshe nga ajo çka thonë. 6 Gushti është dita dhe momenti për të votuar, jo për të folur më. Kemi nëntë vite që flasim. Duhet me votë dhe jo me fjalë.
Lidhur me nismën e PS për votimin me tri të pestat anëtarëve dhe kryetarëve të organeve të Gjykatës Kushtetuese, a do të mblidhni Konferencën e Kryetarëve, para 6 Gushtit?
Çdo nisëm që plotëson kriteret formale juridike, në mbështetje të Rregullores së Parlamentit dhe të Kushtetutës, menjëherë hyn në procedurë, gjë që do të thotë se që nga data 7 Gusht, nëse opozita është gati, mund të mbledh Konferencën e Kryetarëve dhe për të vazhduar më pas me iniciativën që plotëson kriteret formale juridike. Kaq mjafton për të filluar procedura.