Opozita proteston në Lushnjë: Hapni kutitë
Partia Socialiste mbylli dje protestën e radhës në Lushnjë, me kërkesën për hapjen e kutive të votimit. Kryetari i PS-së, Edi Rama, insistoi te nevoja e nxjerrjes së të vërtetës së zgjedhjeve teksa bëri me dije se shteti ka dalë nga binarët. Sipas kryesocialistit, refuzimi për hapjen e kutive të votimit është dëshmi e qartë e frikës së Kryeministrit, ndërsa theksoi se transparenca e zgjedhjeve "do t‘i çlironte shqiptarët nga pushteti i grabitur dhe korrupsioni". Rama përmendi rastin e fundit të protestave në Orikum, duke theksuar se pronat e shqiptarëve po gllabërohen, sipas tij nga rrjeta e merimangës e familjes në pushtet. "Sali Berisha nuk do që kutitë të hapen, sepse hapja e kutive u mbyll rrugën mashtrimeve me tokat e shqiptarëve. Rasti i Orikumit, ku policia rreh pronarët dhe qytetarët që protestojnë për pronat e tyre, është vetëm një fije merimange e rrjetit që po gllabëron pronat e qytetarëve", u shpreh Rama. Duke kërkuar të bëhet transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit, Rama theksoi se "përditë po shohim përmes ngjarjesh dhe faktesh rrëqethëse se pushteti e ka kthyer tërësisht shtetin e së drejtës në një shtet që nuk i shërben ligjit dhe qytetarëve shqiptarë, por Sali Berishës dhe familjes së tij". Fjalën e hapjes së protestës e mbajti deputeti Gramoz Ruçi, i cili dërgoi edhe një mesazh për Kryeministrin Berisha. "Kambanat po bien, nëse ka vesh t‘i dëgjojë dhe nëse ka mend sado pak, të gjykojë sa nuk është vonë dhe të mos e trashë më tej zullumin", tha Ruçi.
Gjatë fjalës, Ndre Legisi theksoi se vota nuk duhet dhunuar nga bandat. Skënder Gjinushi theksoi se e majta kërkon mbrojtjen e votës dhe Spartak Ngjela vazhdoi thumbimet ndaj ish-bashkëpunëtorit të tij të dikurshëm, Sali Berishës. "Duhet zbuar tirania e djathtë. Në kuti është mbërthyer kriza jonë. Berisha lante korridoret e Partisë së Punës", tha Ngjela. Deputetët socialistë u mblodhën në këtë qytet, pjesë e Qarkut të Fierit, ku gjithashtu PS-ja pretendon se ka pasur manipulime.