E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Do hetojme zgjedhjet, Rama të fuse deputetët në Kuvend

TIRANE-Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli i bëri thirrje kreut të Partisë Socialiste të lejojë deputetët të kthehen në Parlament si dhe të caktojë emrat që do përfaqësojnë të majtën në Komisionin Hetimor për hetimine zgjedhjeve të 28 Qershorit 2009.

Zëdhënësja e Kryetares së Kuvendit, Suela Ruseti, përmes kësaj deklarate për shtyp, shprehu sot qëndrimin e Kryetares së Kuvendit në lidhje me deklaratat e bëra sot Kryetarit të PS-së, Rama.

“Kryetarja e Kuvendit i kërkon kryetarit të Partisë Socialiste, të lejojë deputetët e tij të marrin pjesë në jetën parlamentare, i kërkon që të lejojë grupin parlamentar të sjellë emrat e anëtarëve në komision, i kërkon që të lejojë deputetët e tij që të bëhen pjesë e transparencës dhe respektimit të Kushtetutës së vendit!”, thuhet në deklaratë.

Mbrëmjen e djeshme Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 73 vota ngritjen e Komisionit Hetimor për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.

Sipas Topallit, Grupi parlamentar i Partisë Socialiste refuzoi në seancën e djeshme t'i qëndronte këtij angazhimi për transparencë.

“Grupi parlamentar i PS-së u përpoq të pengonte ngritjen e komisionit nëpërmjet përdorimit të trukeve proceduriale. Pretendimi i kryetarit të grupit të PS-së për tërheqje nga nisma për ngritjen e komisionit u përgënjeshtrua nga vetë deputetët e tij”.

Sic thuhet më tej në deklaratë, sipas Rregullores së Kuvendit nisma mund të tërhiqet deri përpara votimit në parim të saj.

“Mungesa e deklarimit me shkrim dhe mungesa e deklarimit në seancë për tërheqje nga nisma, janë fakte që përgenjeshtrojnë çdo lloj pretendimi për shkelje të procedurave”.

Më tutje zëdhënësja e Topallit vuri në dukje se “Me votimin e mbrëmshem, Kuvendi jo vetëm ka respektuar të drejtën kushtetuese të 35 deputetëve nismëtarë për të ngritur komision hetimor, por edhe ka zbatuar me fanatizëm dhe korrektesë absolute ligjore, Rregulloren e Kuvendit”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›