Topalli: Ekrani, fuqi e jashtëzakonshme
Kryetarja e Kuvendit mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 50-vjetorit të Televizionit Publik Shqiptar. Kryetarja e Kuvendit u takua me gazetarë, organizatorë, pionierë, punonjës të rinj të Televizionit Publik si dhe ndoqi me interes një ekspozitë fotografike të punës, të stafit dhe të arkivit me vlera unike të 50 viteve jetë të Televizionit Publik. Ndër më të veçantat, momente të fiksuara përjetësisht në shiritat e kasetave të TVSH-së, janë ditët historike të rrëzimit të komunizmit, seancave të Parlamentit të parë pluralist shqiptar, vizitat e Papa Gjon Palit II, Nënë Terezës dhe ngjarje të tjera të paharrueshme në historinë moderne të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi dhe shprehu mirënjohje të thellë për të gjithë drejtuesit, gazetarët, regjisorët, orkestruesit, kameramanët, montazhierët dhe punonjësit e tjerë të Televizionit Publik që ishin të parët, që përçuan tek shqiptarët, fuqinë e jashtëzakonshme të ekranit. 2010 është një vit jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shqipërinë, është një vit i rëndësishëm për Radiotelevizionin, është një vit jashtëzakonisht i rëndësishëm për shqiptarët, që mezi po presin dhe do të përjetojnë këtë vit, lëvizjen pa viza. Këto janë ngjarje të mëdha, - tha Topalli.