Rama tek BBC: Skam gati asnjë projekt qeverisës
Opozita me anë të protestimit të vazhdueshëm në rrugë dhe braktisjes së institucioneve po kërkon atë që ajo vetë e artikulon tashmë, rrëzimin e qeverisë. Por nëse kjo do të ndodhte nesër, lideri i opozitës, Edi Rama, nuk ka gati asnjë projekt se si do të qeveriste dhe si do të nxirrte vendin nga kriza, ku ai thotë se është futur. Duke folur për radio BBC, vetëm një ditë para tubimit të shumëfolur, Rama ka tentuar ti anashkalojë një pyetjeje të drejtpërdrejtë të gazetarit Aleksandër Furxhi për këtë çështje, duke lënë të pasqaruar atë çfarë opozita ofron realisht për qytetarët, të cilët i fton të protestojnë për kushtet e rënduara ekonomike. Pyetja ndaj Ramës ishte: Sikur qeveria ta dorëzonte sot pushtetin në duart e opozitës, në kushtet e krizës ekonomike, si do të vepronit ju? A keni një mjet për ta nxjerrë Shqipërinë shpejt nga këto halle ekonomike, për të cilat ju po u bëni thirrje njerëzve që të dalin në protestë? Dhe përgjigjja e Ramës nuk ishte aspak një përgjigje për këtë pyetje, që mund ta kenë shumë simpatizantë të opozitës, por ishte një kritikë tjetër për qeverisjen aktuale. Dua të theksoj që kriza shqiptare nuk është pasojë e krizës globale, por është rezultat i drejtpërdrejtë i keqqeverisjes. Pa as më të voglin dyshim, është produkt, më shumë sesa i çdo gjëje tjetër, i mbrapshtisë qeverisëse të vitit të shkuar. E ndërsa gazetari këmbënguli në një përgjigje të drejtpërdrejtë, Rama tha: Sigurisht që ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi në gjendje që gjithçka ta bëjmë ndryshe, më mirë dhe, kuptohet, jo me shkopin e magjistarit, sepse këtë nuk e kemi, por me diturinë dhe njëkohësisht aftësinë për të qeverisur në mënyrë shumë herë më të mirë, si nata me ditën me çka Shqipëria ka jetuar.