Antipërmbytjet, qeveria shton investimet
Qeveria do të investojë shumë më tepër këtë vit për sistemin e ujitjes, kullimit dhe për pasojë mbrojtjes së zonave të ndryshme të vendit që rrezikohen nga përmbytjet. Investimet për këtë vit janë 1.6 herë më shumë se një vit më parë. Kështu pohoi dje zëvendësministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ndoc Fasllia, gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit për sistemin e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet. Duke u ndalur në strukturën e investimeve, zëvendësministri shpjegoi se shumë investime janë orientuar për mbrojtjen nga përmbytjet dhe për ndërhyrje në hidrovore. Më tej, Fasllia tha se krahas rritjes së investimeve për objekte në terren, është rritur në rreth 55 milionë lekë fondi për studime dhe projektime. Zëvendësministri paraqiti edhe një pasqyrë të detajuar të investimeve për 12 rajonet në vend. Gjatë diskutimeve u propozua ndryshimi i ligjit për këtë fushë. Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin ra dakord që gjatë muajve në vazhdim të programohet një tjetër seancë dëgjimore me përfaqësuesit e ministrisë për të njëjtën çështje.