E Diel, 1 Nëntor 2026

Bare flet për dorëheqjen: Ndjenjë përgjegjësie për Tiranën

Ndjenjë përgjegjësie për Tiranën, e ka cilësuar Besnik Bare, dorëheqjen e tij nga kryetari i Partisë Socialiste në kryeqytet. Një ditë pas dorëheqjes së tij nga ky post që e mbante prej 6 vitesh, Bare deklaroi se kjo ishte koha optimale për të bërë veprime, pasi në muajin shtator dolën edhe rezultatet për Tiranën.

“Në këtë interval kohor 6-vjeçar kam shijuar suksesin dhe shijen e hidhur të manipulimit dhe vjedhjes së votës dhe në këto rrethana ndjej përgjegjësinë se ndoshta mund të kisha bërë më tepër në këtë drejtim dhe këtë e reflektoj nëpërmjet dorëheqjes sime, duke i lënë hapësirë deputetëve të tjerë. Akti im i dorëheqjes është veprim modest në tablonë politike shqiptare”, shprehet Bare.
 

Deputeti socialist, po ashtu theksoi se kreu socialist, Edi Rama është ndodhur i çuditur për këtë dorëheqje, dhe sipas Bares ndoshta nuk e priste.
 

Përsa i përket komandimit të deputetit tjetër socialist, Sajmir Tahiri për postin e kreut të PS-së në kryeqytet, Bare theksoi se ai ka progres të jashtëzakonshëm në kapacitetin e tij politik, qoftë në parlament por dhe jashtë tij. “Ai ishte i suksesshëm në zonën elektorale në Kombinat, dhe e shoh të arsyeshme e të justifikuar këtë veprim”, vlerësoi Bare.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›