E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli-Janukoviç: Rritje e bashkëpunimit ekonomik

Nxitja dhe rritja e bashkëpunimit ekonomik midis Ukrainës dhe Shqipërisë me interes reciprok duhet të vlerësohet me më shumë prioritet. Kështu është shprehur Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli gjatë takimit me Presidentin e Ukrainës Viktor Janukoviç.
Sipas Topallit heqja e vizave nga pala shqiptare ndaj qytetarëve të Ukrainës është një hap i parë në këtë drejtim, ndërsa shtoi se duhet të rritet vëllimi i shkëmbimeve tregtare.
Nga ana e tij presidenti Janukoviç theksoi se vizita e kryeparlamentares Topalli shënon një riaktivizim të marrëdhënieve midis Ukrainës dhe Shqipërisë.
Presidenti Janukovic shprehu idenë e ngritjes së një komisioni ekonomik dypalësh. Ai gjithashtu tha se nënshkrimi i marrëveshjeve në fusha të ndryshme do të vendoste bazën ligjore për rritjen e shkëmbimeve ekonomike dhe të fushave të tjera.
Në këtë takim u diskutua gjithashtu edhe mbi mundësinë e vendosjes së një linje direkte ajrore Kiev- Tiranë.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›