Topalli: KQZ t’i trajtojë veçmas votat që vijnë nga Greqia

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Drejtuesja politike për Diasporën e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli i kërkoi sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që kutitë që vijnë nga Greqia të trajtohen në mënyrë të veçantë dhe të mos bashkohen me votat e tjera.
Në një deklaratë për mediet nga selia blu, Topalli tha se “po manipulohet procesi zgjedhor në Greqi”. Sipas Topallit vijnë nga Greqia kuti të mbushura me fletë votimi ndërkohë që njerëzit nuk kanë marrë fletën e votimit për të votuar.
“Në Greqi, e kanë të pamundur të marrin zarfet dhe ato nuk i shkojnë në shtëpi. Ata nuk e gjejnë zarfin kur shkojnë tek lokalet ku janë adresuar nënkontraktorët e DHL-së. Pra ndërkohë që nuk kanë mundësi të votojnë, të marrin fletën e votimit, këtu në Tiranë vijnë kuti të pafundme me fletë votimit të plotësuara. Ajo që po ndodh sot, dje, para 3 ditësh është shumë interesante në fakt, është derivati i skemës së manipulimit të procesit zgjedhor në Greqi, dhe ndodh vetëm për Greqinë. Vijnë vetëm nga Greqia kuti të mbushura, ndërkohë që njerëzit nuk kanë marrë fletën e votimit për të votuar”, tha Topalli.
Sipas Topallit, “shërbimin postar te nënkontraktorët siç duket po e bëjnë pushteti i Tiranës, dhe kjo e kthen në problem jashtëzakonisht të madh, manipulimin masiv që po ndodh në Greqi”.
“I kërkojmë KQZ-së e cila thotë për mospërthyerje të standardeve të dorëzimit, të kthimit dhe të dorëzimit të tyre do të sanksionohen nënkontraktorët, ne si forcë politike nuk jemi të interesuar në këtë moment për sanksione, por për të ruajtur integritetin që në këto kushte nuk ekziston më”, tha Topalli.
“Në këto kushte, jemi të detyruar t’i kërkojmë KQZ-së që kutitë që vijnë nga Greqia të trajtohen në mënyrë të veçantë dhe të mos bashkohen me vendet e tjera, meqenëse ne kemi dyshime të forta për skemën e manipulimit të votës së shqiptarëve në Greqi’”, theksoi ajo.
Topalli përsëriti sërish thirrjen për “OSBE-ODIHR që të ketë një fokusim të madh me atë që po ndodh me manipulimin me votën e shqiptarëve në Greqi”.
Po ashtu, Topalli i kërkoi SPAK të hetojë “këtë skemë që nuk ndodh në vendet e tjera, por ndodh vetëm në vendin fqinj, duke fyer në fakt dinjitetin dhe të drejtën e votës”. /j.p/