E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli Kanceri i gjirit jo i rrezikshem nese parandalohet ne kohe

“ Politika nuk është vetëm debati që bëhet në parlament. Politika nuk është vetëm ligje që kalojnë në parlament. Politika është jeta dhe kjo është arsyeja pse unë jam sot këtu. Beteja kundër kancerit të gjirit, ashtu sikurse kundër kancerit në përgjithësi është një betejë e rëndësishmë. Beteja kundër kancerit është një betejë të cilën mund ta fitojmë të gjitha bashkë.”

Ky ishte mesazhi i dhënë nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në tubimin informues dhe ndërgjegjësues lidhur me kancerin e gjirit nën moton: “Kanceri i gjirit vret më pak, nëse zbulohet shpejt.”

Në vijim të veprimtarive në muajin e luftës kundër kancerit, qindra gra u mblodhën në sheshin përpara Galerisë Kombëtare të Arteve, ku u shpërndanë materiale informuese për mënyrat e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit, e që vijoi me një ecje simblolike drejt sheshit përpara Akademisë së shkencave.

Takimi për kauzën e luftës kundër kanceri mblodhi bashkë institucionet kryesore, organizata, shoqata, spitale e qendra shëndetësore, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli tha:

“Të nderuara zonja, të dashura motra, mike, vajza, bija këtu të pranishme. Unë dua t’ju falënderoj për ftesën që më keni bërë për të marrë pjesë në këtë ecje, në këtë mesazh që të gjithë organizatorët kanë menduar në këtë ditë të diele.

Nuk mund të mungoja në një aktivitet të tillë. Për një arsye të thjeshtë por për një të vërtetë të madhe.

Politika nuk është vetëm debati që bëhet në parlament. Politika nuk është vetëm ligje që kalojnë në parlament. Politika është jeta dhe kjo është arsyeja pse unë jam sot këtu.
Beteja kundër kancerit të gjirit, ashtu sikurse kundër kancerit në përgjithësi është një betejë e rëndësishmë. Beteja kundër kancerit është një betejë të cilën mund ta fitojmë të gjitha bashkë.

Unë e shoh me optimizëm. Sëmundja e kancerit nuk është më një sëmundje fatale. Përkundrazi, nëse secila prej zonjave, prej bijave, prej motrave, prej nënave bëjnë kujdes që në momentet e para të shkojnë tek mjeku, të bëjnë vetkontrollin, të bëjnë mamografinë ajo mund të kthehet në një sëmundje tërësisht të përballueshme dhe mbi të cilën ne mund të fitojmë.

Ne gratë do të fitojmë kundër sëmundjes së kancerit. Ne gratë do të bëjmë një kryqëzatë kundër sëmundjes së kancerit. Ne gratë, ne nënat e kemi për detyrë jo thjesht për veten tonë. Së pari dhe mbi të gjitha do ta bëjmë për fëmijët tanë, për këto vajza, për këta djem të vegjël të cilëve ja kemi borxh sepse është jeta jonë, është qëllimi jonë, është çdo gjë, është gjëja më e shtrenjtë që ne kemi.

Unë ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe përgëzoj organizatorët për organizimin e këtij takimi dhe të kësaj ecje në një mesazh të rëndësishëm për jetën që është gjëja më e shtrenjtë."

Në përfundim të ecjes, pjesëmarrësve të interesuar u dha mundësia që në disa çadra të ngritura enkas, të ndjekin biseda informuese për mënyrën e zbulimit të hershëm të kancerit të gjiri si dhe të kryejnë ekzaminime falas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›