Topalli: Kushtetuta ndryshon vetëm për imunitetin – opozita të tregojë vullnet
Mblidhet Këshilli i Legjislacionit për imunitetin. PS, dy drafte përtej heqjes së imunitetit. Xhafaj dhe Majko qëndrime të kundërta për “votën e opozitës”
Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve kanë nisur sot zyrtarisht procedurat për diskutimet mbi heqjen e imunitetit të zyrtarëve dhe gjyqtarëve. Në fjalën e saj, në çelje të mbledhjes, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ftoi opozitën të tregojë vullnetin politik dhe të miratojë heqjen e imunitetit sipas kalendarit të miratuar nga konferenca e kryetarëve. “Çështja e imunitetit është ndër kriteret për integrimin, është muri kundër korrupsioni, është çështje e standarteve dhe na bën që të jemi më transparent. Është një çështje e shtetit ligjor dhe sot ka ardhur momenti që të tregojmë vullnetin politik, pa kushtëzime dhe të ecin përpara”- u shpreh Topalli.
Pas prezantimit të nismave mbi këtë çështje, ku veç drafteve të PS dhe PD, edhe LSI ka depozituar një nismë, por që për shkak të rregullores nuk mund të futet si një draft më vetë, pasi duhet të gëzojë firmën e një numri të caktuar të firmash, i mëshoi fakti se propozimet e demokratëve vijnë në mbështetje të rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare të specializuara në këtë fushë. Sipas saj, nisma për heqjen e imunitetit është bërë që nga viti 2003 dhe tashmë ka marrë edhe dakortësinë e EURALIUS dhe PACA që heqja e imunitetit të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.
Deputetët Edi Paloka dhe Fatmir Xhafa bënë prezantimet e drafteve partiake, përkatësisht të PD dhe PS. Deputeti demokrat Edi Paloka tha se mazhoranca ka marrë këtë vendim, me qëllimin e vetëm për të arritur atë që është e domosdoshme, konsensusin. “Ne si mazhorancë, për të mos i lënë kohë dhe rrugë përplasjeve, vendosëm të paraqesim para parlamentit projektin tonë, që është një projekt i bazuar në ekspertizën e Këshillit të Europës, PACA-s, dhe i BE-së, EURALIUS”- tha ai.
Ndërsa, deputeti socialist, Fatmir Xhafa bëri me dije qëndrimin e partisë që ai përfaqëson se PS në parim është “pro” draftit të demokratëve, pasi ai është një riparaqitje e propozimeve të PACA dhe EURALIUS. Por, në propozimet e tyre socialisët përfshijnë dhe reformën në drejtësi. “Është hera e parë që ka një nismë kushtetuese për heqjen e imunitetit. Në realitetin shqiptar ka pasur një qëndrim të përbashkët për kufizimin e imunitetit. Shumica reflektori dhe pas 8 vjetësh erdhi tek varianti ynë. Ne kemi shprehur qëndrimin tonë për domoshmërinë për heqjen e imunitetit dhe situata aktuale e korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë e imponon një hap të tillë”- theksoi socialisti Xhafaj. Sipas tij, ndryshimet duhet të shërbejnë edhe për ruajtjen e garancive për rolin e çdo opozite, për të mos goditur kundërshtarët politikë apo gjyqtarët për qëllime të caktuara. Ai ka theksuar më tej se PS-ja nuk do të ndërhyjë më në Kushtetutë me nxitimin e 4 viteve më parë, duke shtuar se duhet të vendoset një standart i ri në funksionimin e demokracisë parlamentare dhe vendosjes së shtetit ligjor.
Përballë një serie të gjatë propozimesh që shkojnë përtej heqjes së imunitetit, erdhi dhe qëndrimi i kryetares së Kuvendit. Topalli insistoi në respektimin e rendit të ditës, duke diskutuar dhe miratuar vetëm nenin që ka të bëjë me ndërhyrjen në Kushtetutë, gjithnjë për heqjen e imunitetit. “Përpara shqiptarëve si deputetë ne kemi detyrën të tregojmë se ne nuk jemi ndryshe nga deputetët e tjerë dhe të mbrohemi me imunitet. Ne nuk kemi frikë për të hequr imunitetin dhe bashkë me kolegët e tjerë djathtas dhe majtas të votojmë për heqjen e imunitetit. Mua më duket bllokim, është justifikim sot për mosheqjen e imunitetit. Unë nuk kam frikë të më hetosh për çështje të korrupsionit. Është koha që sot të majtë dhe të djathtë të votojmë për heqjen e imunitetit. Ta fillojmë nga vetja jonë. Hajde të shofim nenin për imunitetit, dhe është i rëndësishëm dhe na bën që kuvendi i shqipërisë të shihet ndryshe në sytë e shqiptarëve dhe është një nga kriteret për integrimin. Në draftin tuaj trajtohet një gamë e gjërë çështjesh. Kërkoj që të respektojmë rendin e ditës. Janë shumë pika për të cilat duhet të ndryshojë Kushtetuta, për të mos thënë që po bëjmë një Kushtetutë re. Ndaj insistoj që të votohet pika që ka të bëjë me imunitetin. Nuk po voptojmë as variantin e PD e as të PS, por atë të ndërkombëtarëve”- u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Nga ana e tij kryetari Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali i cilësoi në kundërshtim me rregulloren përfshirjen në diskutime të propozimeve të PS-së të cilat nuk kanë të bëjnë me heqjen e imunitetit. Sipas tij, PS paraqitet tashmë me kushte të reja për të mos hequr imunitetin.
Ndërsa përkundrejt fjalimit “çudibërës” të Fatmir Xhafës deputeti tjetër, Pandeli Majko ishte më konstruktiv, duke pranuar faktin e heqjes së imunitetit sipas axhendës së Kuvendit, pra në 6 gusht. Majko tha se opozita është e gatshme të votojë “pro” ndryshimit të kushtetutës për imunitetin. “Opozita është e gatshme për të votuar “pro” heqjes së imunitetit, por bashkë me disa detaje të vogla, siç janë disa funksionalitete të disa neneve të sistemit të drejtësisë. Unë e heq imunitetin, por dal përballë një gjykatësi dhe prokurori që e kam emëruar unë. E gjithë kjo histori duhet trajtuar ballë publikut. Në Shqipëri ka të paprekshëm, shkojnë përballë gjykatë dhe nuk dënohen. Nga 92 deri sot të gjithë presidentit janë prodhuara nga ju, prokurorët janë zgjedhur nga ju. Sistemi i funksionimit të drejtësisë, presidenti, është i juaji, maxhoranca që miraton gjykatësit, është i juaji, ju keni dhënë prova që prokurorët dhe gjyqtarët i keni bllokuar”- tha Majko.
Në përfundim të kësaj mbledhje u vendos që gjatë ditës së nesërme të dëgjohen në një seancë të posacme grupet e interesit lidhur me ndryshimet kushtetuese për këtë cështje. Ndërkohë që u përcaktuan dhe relatorët për secilën palë, ku nga PS do të jetë deputeti, Pandeli majko dhe nga PD Edi Paloka.