Topalli: Mjaftojnë vetëm tre sekonda që opozita të votojë tre ligjet e statusi të vendit kandidat
Nxënës e studentë nga e gjithë Shqipëria vizitojnë Kuvendin në 100-Vjetorin e Pavarësisë
"Mjaftojnë vetëm tre sekonda që opozita të votojë tre ligjet e integrimit, me qëllim që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat”. Me këtë apel kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli, i ka bërë thirrje PS të votojë në parlament 3 ligjet që Komisioni Europian i kërkon të miratohen deri në 20 nëntor, në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit. “Mjaftojnë vetëm tre sekonda që opozita të votojë tre ligjet e integrimit me qëllim që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. 100-vjetori i pavarësisë është një moment gëzimi dhe lumturie, por edhe një moment reflektimi për rrugën që shqiptarët kanë ndjekur gjatë gjithë këtyre viteve. Është një moment hyjnor kur ngrihet flamuri shqiptar. Të mendosh që në atë kohë koncepti i Shqipërisë si shtet as nuk ekzistonte, por gjithçka u bë e mundur falë atyre patriotëve të shquar, të cilët në mënyrë sublime kanë sakrifikuar gjithçka dhe ky është një moment shumë i mirë për t’i nderuar ata. Është hera e parë në historinë tonë që ne shqiptarët, kudo që ndodhemi, jemi të lirë dhe kjo është gjëja më e bukur,” tha Kryetarja e Kuvendit”, theksoi Topalli. Deklaratën Kryeparlamentarja e bëri gjatë një takimi me nxënës dhe studentë në Kuvendin e Shqipërisë në kuadër të kremtimeve të jubileut të 100-vjetorit të pavarësisë. Gjatë bisedës me studentët, zonja Jozefina Topalli ndau mendime në lidhje me disa personalitete të shquara shqiptare që kanë lënë gjurmë të thella gjatë këtij shekulli. Nga Vaso Pasha, te Ahmet Zogu e Nënë Tereza, Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se shqiptarët ndër vite kanë ushqyer vlera të tilla si humanizmi, bashkëjetesa fetare dhe atdhedashuria, vlera më të cilat Shqipëria synon të zërë me dinjitet vendin e saj në familjen europiane. Më tej, Kryetarja e Kuvendit tha se shqiptarët në këtë moment historik janë shumë pranë realizimit të ëndrrës së tyre më të madhe: anëtarësimit në Bashkimin Europian.