Topalli: Mosvotimi i ligjeve, dëmi më i madh që kreu i PS i ka bërë vendit
Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, takim me strukturat e PD në Shkodër
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, njëkohësisht nënkryetare e Partisë Demokratike, në një prononcim për mediat pas takimit me strukturat e partisë, shoqatat dhe forumet e demokratëve në rrethin e Shkodrës, shprehu shqetësimin e saj për qëndrimin negativ që ka mbajtur dhe po mban kreu i opozitës, Edi Rama, lidhur me votimin e tre ligjeve për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. “Bashkimi Europian voton për statusin, opozita në Parlamentin Shqiptar nuk voton për statusin. Kjo është gjëja më e rëndë që kryetari i opozitës mund t’i bënte socialistëve së vet së pari dhe gjithë Shqipërisë”, theksoi në prononcimin e saj të shkurtër për mediat e qytetit të Shkodrës, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ndërkohë, pas ngulmimit të gazetarëve në lidhje me vazhdimin e përpjekjeve për ta realizuar votimin e këtyre ligjeve, kryeparlamentarja Topalli u përgjigj “sigurisht, por dëmi është bërë”.
...