E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Muho mbrojti kriminelin, s’bën zgjedhje të lira, Ruçi: Lëri broçkullat

TIRANË - Kuvendi po vijon diskutimet lidhur me kërkesën e PD-së për lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho, i propozuar nga LSI, si dhe zëvendësimin e tij me një nga dy kandidaturat e paraqitura nga Partia Republikane, Klement Zguri ose Patriot Çoba. 

Kërkesa, e miratuar një javë më parë nga Komisioni i Ligjeve, kundërshtohet ashpër nga opozita, e cila e konsideron një veprim antiligjor dhe goditje të rëndë për standardet demokratike. Sipas deputeteve të PS-së, kryeministri Berisha kërkon mazhorancen në KQZ, pasi tenton të manipulojë rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit.

Nga ana tjetër shumica argumenton se me largimin e LSI-së nga koalicioni i djathtë u përmbysën raportet në KQZ dhe për pasojë edhe në komisionet e tjera të nivelit të dytë, gjë që sipas saj, e kalon nën kontrollin e opozitës të gjithë procesin zgjedhor, duke paralajmëruar manipulime. 

Seanca e sotme e Kuvendit pritet në fakt të jetë e gjatë, pasi janë regjistruar për diskutim 120 deputetë.

NACO: PD KRIM ZGJEDHOR, E MAJTA MË E BASHKUAR SE KURRË PËR VOTËN E LIRË
17: 53 Deputeti i LSI-së Nasip Naco, akuzoi mazhorancën se me kërkesën për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së Ilirjan Muho po kryen një krim zgjedhor, teksa tha se tani e majta është më e bashkuar se kurrë për të ruajtur votën. Naco nënvizoi faktin se LSI iu bashkua nismës së votimit të tre ligjeve, por sipas tij e ardhmja evropiane e vendit është në rrezik.

““Vendimi i paligjshëm i mazhorancës, në asnjë nen të Kodit Zgjedhor nuk thuhet se KQZ është institucion partiak dhe organ që siguron balancimin e përfaqësimit0 politik. Këtu ka panik në radhët tuaja. Ju kërkoni të justifikoni nismën antiligjore për balancat në komisionet ligjore. Ju me veprimet tuaja tregoni se kërkoni manipulimin e rezultateve në zgjedhjeve në tavolinë. Të nderuar kolegë veprimi që po tentoni të kryeni është shkelje flagrante e standardeve ligjore, dhe këmbanë alarmi dhe për partnerët. Përgjegjësia juaj nuk do jetë morale dhe juridike, por politike. Në asnjë rresht të kërkesës së PD nuk kam parë asnjë shkak ligjor. Kolegë ju po luani jo vetëm me shqiptarët dhe zgjedhjet, por dhe miqtë ndërkombëtarë, ky është shembulli dhe premtomi se 23 qershori do jetë dita me e ndritur për shqiptarët, ajo është errësuar dhe ju vendosni një pikëpyetje për zgjedhje e lira dhe të ndershme. Ky është krim zgjedhor dhe tregon panikun për rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit. LSI i është bashkuar ju për miratimin e 3 ligjeve, pasi dhe vëmendja e ndërkombëtarëve është kthyer me sy nga Shqipëria. Veprimet antiligjore e largojnë Shqipërinë për realizimin e ëndrrës evropiane. Ju sot po i bëni nder të madh të majtës shqiptare dhe po e bashkoni. Sot po shuani ëndrrat e shqiptarëve për të pasur zgjedhje të lira”, tha Naco.

Naco tha se mazhoranca kërkon manipulimin e zgjedhjeve në tavolinë, ndërkohë duke iu rikthyer akuzave se Ilirjan Muho në kohën kur mbante postin e Prokurorit, deputeti i LSI sqaroi se ai nuk ka shkelje ligjore.

TOPALLI: MUHO LIROI KRIMINELIN, RUCI: LËRI BROÇKULLAT
Ora 17:35 Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli teksa rilexoi dokumentin që Prokurori Dhori Sollaku kërkon shkarkimin e Ilirjan Muhos, akuzoi opozitën se po mbron një person që ka liruar një kriminel.

“Qeshni qeshni prandaj e mbroni ju. E kuptoni pse e mbroni ju Ilirjan Muhon, ky është njeri i ligjit, ai që ka liruar personin që është dënuar për vrasje, prostitucion dhe trafik. Dëgjoni kë mbroni. Votoni kundra pasi mua më intereson që të votoni kundra. Ku është ai që mbroni ju, ai që liroi kriminelin.

Kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruci, i kërkoi kryetares së Kuvendit që të marrë fjalën në bazë të procedurës si deputete. Si replikë të akuzave të mazhorancës Ruci bëri apel që PD ti përmbahet kërkesës së saj, teksa bëri krahasimin e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ në kohën kur opozita qeveriste duke kujtuar se PD emëroi kryetar tar KQZ Arben Ristani i dënuar nga gjykatat.

“Iu drejtuat grupit parlamentar dhe kini detyrimin të dëgjoni përgjigjien. Ju jeni kryetare parlamenti dhe keni detyre dhe një procedurë ligjore, që të regjistrosh emrin dhe të flasësh. Por si kryetare i drejtohesh një grupi të vecantë. Zonjë ke ngatërruar ne nuk jemi për të mbrojtur asnjë emër të përvetshëm. Ne jemi për të mbrojtur Kodin Zgjedhor, por dhe zgjedhjet të lira dhe demokratike. Sa i përket anës morale zonjë, Ristani që manipuloi dy palë zgjedhje nuk ka qenë i ndaluar nga policia e shtetit dhe prokuroria e vendit? Ristani që drejtoi dy herë komisionin tuaj dhe sot është zv/ministër nuk ka qenë i dënuar nga gjykata e këtij vendit. Lini këto broçkullat, ne jemi serioz me propozimin tuaj që i keni sjellë seancës së Parlamentit. Dokumentuat që keni, nëse do diskutonin për një kandidat që ka ardhur me votat e opozitës do kishte sens, por ju që keni vërejtje, dhe të gjitha shembujt që sillni, Ilirjan Celibashin e ka sjelle konferenca e gjyqtarëve. E ka zgjedhur Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Dëshira Subashin e ka zgjedhur Këshilli i Lartë i Drejtësisë, e shikon sa larg ne dhe ju. Është diferencë e madhe. Ju jeni futur detit më kembë, me nismën e marrë nuk ka gjethe fiku që ju mbulon dhe gjethe rrapi që ju mban. Nëse keni argumenta jepini”, tha ruci.

TOPALLI: Ja kemi dokument shtetëror dhe ua kemi shpërndarë. Ai na ka mashtruar, ju ndofta e njihnit. Ky nuk mund të jetë anëtar i KQZ, ku nuk mund të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

OLTA XHACKA: SEANCA E SOTME FARSA E RADHËS
Ora 17:24- Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhacka u shpreh se kjo seancë e sotme e Kuvendit nuk është gjë tjetër vecse farsa e radhës.
“Kjo që po ndodh sot është farsa e radhës, u diskutua fillimisht për baraspeshim të KQZ, pastaj se paska pasur dekret të zotit Moisiu se ky person paska një njollë, dhe kryetares i ka kaluar nën hundë. Kjo farsë ka lidhje vetëm me logjikën autoritariste të Sali Berishës në Kuvend. Vetëm atij i takon të kontrollojë gjithçka, nuk ka faj se 25 vjet si sekretar partie dhe 22 vjet në krye të PD ka mësuar se si mbahet pushteti me dhunë”, tha Xhacka.

IMAMI: OPOZITA DO TI FITOJË ZGJEDHJET NE TAVOLINË
Ora 17:15 Ministri i Mbrojtjes Arben Imami gjatë fjalës së tij solli edhe një herë në vëmendje shkarkimin e Ilirjan Muhos nga posti i Prokurorit në vitin 2003 nga Kryeprokurori Dhori Sollaku për shkelje, teksa nënvizoi faktin se marrëveshja e vitit 2003 është fryma e ligjit.

“Neni 12 pika ë sic e përmendi dhe ministri i Drejtësisë parashtron kushtet e anëtari të Kqz, dhe kërkon që të mos jetë larguar nga vendi i punës për shkeljedetyre. Me datën 27.3.2003, Prokurori i Përgjithshëm Dhori Sollaku i dorëzon kërkesën presidentit për shkarkimin nda detyra....se ndaj prokurorit Ilirjan Muho të merret masa disiplinore shkarkim nga detyra, për shkeljet e konstatuara. Shkelje e hapur e ligjit që etikitisht dhe politikisht është e pambrojtur. I shkarkuar nga një detyra publike për shkelje të konstatuara në gjykim ndaj një prej bandave më të rrezikshme të Fierit nuk mund të mbrohet sa politikisht dhe as moralisht. Ajo që me shqetëson është thelb i diskutimit. Në paranteze dua të them se kanuni i shqiptarëve nga veriu në jug kanë bërë qe vendi të qeveriset mes disa perandorive në mëdha. Marrëveshja e vitit 2003 është fryma e ligjit dhe cdo kush që do të vendosë ne emër të ligjit e di fare mirë që pyetja është qëllim dhe vullnet pse është bërë ai ligj”, theksoi Imami.

Ministri Imami akuzoi opozitën se po tenton të vjedhë zgjedhjet në tavolinë, teksa bëri thirrje që një demokraci e qëndrueshme kërkon zgjedhje të lira.

“Ky vendim ka si qëllim dëmtimi ne procesit zgjedhor, me situtës pas vendimit të LSI, jemi para fakteve ne në tavolinat e nr të votave opozita ka shumicën 5 me 2. në këtë mënyrë opozita e re pansocialiste bllokon madje dhe pakicën bllokuese që është e drejtë që e kemi njohur për cdo opozitë. Opozita do ti fitojë zgjedhjet në tavolinë, sepse nuk ka shpresë për ti fituar me vota. Opozita është keqbesimin. Opozita na fton të negociojmë për një të drejtë që e kemi, dhe që është e panegociueshme, standardi i dyfishtë është antidemokratik. Një demokraci e qëndrueshme e kërkon zgjedhje të qëndrueshme, dhe të lira. Ti bëjmë ato”, tha Imami.

HALIMI: RAMA DO I HUMBASË ZGJEDHJET, NUK I BËN DERMAN ILIRIANI
Ora 17:00- Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi ka deklaruar në foltorja e Kuvendit se për Partinë Socialiste Ilirian Muho shihet si hero, por zgjedhjet sic shtoi ai nuk varen nga qëndrimi i tij apo jo në KQZ.

“Ky zotëria e ka bërë baltë, ka shkelur kushtetutën, ka shkelur kodin zgjedhor, ju thoni ta lëmë. Iliriani sipas jush na qenka heroi i zgjedhjeve, por ai e ka bërë baltë ka mashtruar gjithë shqiptarët. E rëndësishme për procesin është se asgjë nuk do ta afektojë vendosmërinë e qeverisë për të mbajtur zgjedhje të ndershme në frymën e ligjit, mazhoranca ngelet mazhorancë, opozita mbetet opozitë”, tha Halimi.

Sipas tij, asnjëherë nuk ka ndodhur në asnjë vend që mazhorancën e KQZ-së ta ketë opozita.
“Edi humbet edhe kur merr për veshi presidentin edhe i thotë të votojë për të, edhe kur merr Ilirianin, as me Bamirin as me Ilirianin nuk fiton, prapë do ti humbasë zgjedhjet, si bën derman askush Ramës as Muho”, tha më tej Halimi.

TOPALLI: KQZ NUK ESHTË E PAVARUR, POR BARAZPESHË POLITIKE
Ora 16:21 Teksa vijojnë diskutimet për me kërkesën e PD-së për lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho, i propozuar nga LSI, si dhe zëvendësimin e tij me një nga dy kandidaturat e paraqitura nga Partia Republikane, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ndërhyri duke u thënë deputetëve se KQZ nuk është institucion i pavarur, por barazpeshë politike.

“Nuk është i pavarur, është barazpeshë politike, në bazë të praktikave të mira të Komisionit Evropian, kemi : e pavarur dhe barazpeshë politike. Ne vendet e lindjes kemi barazpeshë politike ndërsa, vendet e pavarura demokratike kanë KQZ të pavarur. E kupton Ilir, se kupton more Ilir. Nuk është e pavarur KQZ është barazpeshë politike. Në gjermani e kanë të pavarur. Ca thonte gjyshi kot për këto raste”, tha Topalli.

XHAFAJ: PROBLEMI I MAZHORANCËS, NUK KA NUMRAT NË KQZ
Ora 15:32- Deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj e ka cilësuar nonsens juridik, nismën e PD për të shkarkuar Ilirian Muhon.

“Kanë vënë nenin 14 se s’vinin dot asnjë tjetër. Nëse bëhej fjalë për shkarkimin duhej të përdorej neni 18, po ai këtë procedurë nuk e parashikon në asnjë germë”, tha Xhafaj.
Deputeti shtoi më tej se ky është një akt i paligjshëm dhe i papranueshëm. “Ky akt cënon procesin zgjedhor dhe votën e lirë”, tha ai.

“KQZ është institucion i pavarur, nuk mund të përdoret nga politika dhe Sali Berisha. Ndryshimi i rregullave të lojës nuk mund të ndryshojë në këtë fazë të procesit. Nuk ka logjikë juridike por logjikë politike që merr për bazë vullnetin e kryeministrit. Problemi i mazhorancës është se nuk ka numrat”, tha ai më tej.

Ndërsa duke iu referuar deklaratave të kryetares së Kuvendit Topalli, Xhafaj i cilësoi si të paturpshme.

“Jam i surprizuar nga paturpësia e Jozefinës, ku ishit dje që e miratuat Muhon. Pranoni që keni qenë sylesh apo e përdorët si peng për të mbajtur me doemos pushtetin. Është turpi juaj dy herë”, tha ai më tej.

TOPALLI: MUHO U SHKARKUA NGA DHORI SOLLAKU PËR LIDHJE ME KRIMIN
Ora 15:08 Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë,v Jozefina Topalli, nga foltorja e Parlamenti, akuzoi Ilirjan Muhon se ka mbajtur fshehur CV e tij, pasi është shkarkuar nga ish-presidenti Alfred Moisiu me kërkesë të Kryeprokurorit Dhori Sollaku për lidhje me krimin.

“Ilirjan Muho ka mashtruar parlamentin me CV që nuk tregon që është i shkarkuar nga presidenti me propozim të kryeprokurorit Dhori Sollaku , ai mashtroi edhe në dëgjesën në komision. Nuk ndihesh ti i fyer që të ka mashtruar propozuesi që ke ne koalicion. Propozuesi që ka sjell në KQZ Muhon na ka mashtruar ju dhe ne. Ky është atentati më i madh që i bëhet Parlamentit. Ilirian Muho ka gënjyer dhe mashtruar parlamentin me CV e tij se nuk tregon se është i shkarkuar nga presidenti i Republikës me propozim të Dhori Sollakut. Seanca dëgjimore, është një akt betimi. Për të Dhori Solllaku ka kërkuar shkarkimin e tij për lidhjen me krimin dhe kriminelet me të rrezikshëm. Ky ëhtë atentati më i madh që i bëhet Parlamentarizmit. Kam 18 vjet në politik. Në bazë të ligjit dhe kodit elektoral ka një nen, që i referohet këtij zotërisë, që emërimi është i paligjshëm, pasi ai është i shkarkuar për lidhjet me krimin”, tha Topalli. 

Kryetarja Topalli paralajmëroi ligjvënësit socialistë se mazhoranca nuk do lejojë prishjen e balancës në KQ.
“Do mjaftonte kaq që propozuesit të kërkonin të falur, që ju që e dinit të kërkonit të falur para publikut, ju i thoni shqiptarëve se KQZ me Muhon që është i shkarkuar, ky jep besim publikut, bën zgjedhjet më të mira e ndershme si vetë ndershmëria e Muhos. Ky është peng i krimineleve, kësaj i thoni ju KQZ e pavarur , ky është turpi i parlamentit, ju ftoj të bashkoheni e të mos ndaheni me maxhorancën për të shkarkuar këtë nga detyra. Harrojeni se do i merrni zgjedhjet në tavolinë, përkundrazi jam plotësisht dakord me ato diplomatë që thonë qeveria ka përgjegjësinë. Nuk mund të jetë balancë e nderuar 5 me 2”, tha Topalli. 

RULI: PA NDRYSHUAR KODIN ZGJEDHOR NUK PRISHET BALANCIMI NË KQZ
Ora 15:00 Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli theksoi se marrëveshja është legjitimuar në Kodin Zgjedhor. Sipas Rulit trupa e KQZ është e përzgjedhur politikisht dhe pa ndryshuar Kodin Zgjedhor nuk mund të prishet balanca në KQZ.

Ministri Ruli tha se Kodi Zgjedhor e ka të shenjtë balancimin, ndaj i kërkoi LSI që tashmë të marrë mbiemrin që i takon pas largimit të koalicionit me PD.

PS, MARKO BELLO: NDËRKOMBËTARËT KARTON TË VERDHË BERISHËS, MOS VINI DUART NË KQZ
Ora 13:50-“Të ndërpresësh sot nga ky Kuvend nën pretekstin e shumicës e kartonëve një mandat kushtetues do të thotë të mos njohësh alfën e demokracisë. Shumica janë ato që votojnë e marrin mendime. Jo të dashur kolegë kjo nuk është demokracia liberale, as sistemi i vlerave që duhet ndaj trupi diplomatik i huaj i ka bërë thirrje Berishës i ka ngritur kartonin e verdhë. Po bëni si në vitin 1996 që tregoi se një vend që nuk bën zgjedhje të lira e të ndershme nuk mund të integrohet në Europë dhe nuk ka faj populli, nuk na duhet fare popull i fortë. Mos vini duart në KQZ se zgjedhjet hidhen në erë dhe bie besueshmëria.
ka politikanë që nuk u bëhet vonë për stabilitetin e vendit”.

PS, DITMIR BUSHATI: TË ULEMI E TË GJEJMË ZGJIDHJE
“Ne duhet të hapim një kapitull të ri dhe më erdhi keq që gjerat shkuan kështu. Të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje që na nderon të gjithëve”, tha Bushati në mbyllje të fjalës së tij.

PS, ARBEN MALAJ: TEST PËR NE JANË ZGJEDHJET E LIRA, TË DËSHMOJMË QË DIMË TI BËJMË
“Sot po ndodh 100 % e kundërta e asaj që presin e thonë shqiptarët. Duan më pak vuajtje e papunësi e pak varfëri, kur ndërkohë vlon korrupsioni dhe kapja e shtetit. Testi i parë janë zgjedhjet e ndershme dhe të lira, vendi ka ngecur në vend, kriza politike dhe sociale mund ta dëmtojë dhe me shumë”, u shpreh ndër të tjera Malaj.

PALOKA: RAMA KERKON TE MARRE PUSHTETIN NE TAVOLINE
Ora 12:30 - Deputeti demokrat Edi Paloka akuzoi kryetarin e PS-së se po kërkon të marrë pushtetin në tavolinë, përmes manipulimit të komisioneve të administrimit të zgjedhjeve. “Edi Rama e di shumë mirë që nuk mund të fitojë zgjedhjet me Sali Berishën. Rama e di shumë mirë që në fund fare do t’ia gjejë Berisha dhe do ta mundi prap. Për këtë arsye kthehet tek ëndrra e tij, të marri pushtet në tavolinë. Gjithë këto kohë ka kërkuar të marri pushtetin në tavolinë, i erdhi rasti të ketë kontrollin e komisioneve dhe të realizojë këtë ëndërr. Shpresa e tij vazhdon të mbetet manipulimi, por ta harrojë”- u shpreh Paloka.

Paloka nënvizoi Partia Demokratike kërkon balancimin komisioneve, siç e parashikon ligji e Kodi Zgjedhor. Ai theksoi se shkarkimi i Ilirjan Muhos nuk është çështje që lidhet drejtpërdrejt me të, por siç tha Paloka, lidhet me nevojën për të shkuar në zgjedhje me një KQZ të balancuar, me 3 anëtarë të opozitës dhe 3 të maxhorancës.

AHMETAJ: BERISHA KA FOBI NGA VOTA E LIRE
Ora 12:20 - Deputeti i PS-së Arben Ahmetaj theksoi se nisma e demokratëve për lirimin e anëtarit të KQZ-së është antiligjore dhe antikushtetuese. Sipas Ahmetajt, kryeministri Berisha po tregon se KQZ nuk do të jetë e pavarur, por do ndjekë një komandë politike.
“Çdokush në Shqipëri e ka të qartë që ajo që po ndodh me KQZ-së është shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së Shqipërisë. Sali Berisha me veprimin e sotëm i tregon shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, me të cilët sot është gjithashtu në konflikt, i tregon se KQZ do ndjekë një komandë politike. Vazhdojmë me logjikën e balancimit politik të institucioneve, si mundet një KQZ e cila do të jetë në diktatin politik, për të lexuar drejt dhe kushtetueshmërisht mandatet politike që do të dalin nga zgjedhjet. Kjo është frikë, të kesh frikë nga një individ që është betuar në kuvend, në këtë rast është Ilirjan Muho. Berisha ka fobi nga vota e lirë, ka fobi nga zgjedhjet e lira dhe nuk mund te veproje ndryshe nga ajo qe ka bere ne 22 vjet, kur i ka grabitur dhe cenuar zgjedhjet. Ky njeri sot është i pajustifikuar dhe në vakt tregon se është antishqiptar. Ajo që Berisha po bën me KQZ kërkon të zgjasë agoninë e vetes dhe agoninë e shqiptarëve. Gjë që ne nuk do ta lejojmë. Në 23 qershor ju dorëzoni pushtetin në duart e shqiptarëve.”- deklaroi Ahmetaj.

DOKLE: PROBLEMI I PD-se ESHTE SE SI TE VJEDHE VOTAT
Ora 11:50 - “Problemi i Shqipërisë janë korbat e zinj që u janë sulur institucioneve të pavarura. Të mos lejojmë të shkelet pavarësia e institucioneve. Problemi i PD është gjithmonë se si të vjedhë votat.”- u shpreh deputeti socialist Namik Dokle.

GJIKNURI: PO DHUNOHET POPULLI NE TE DREJTAT E TIJ
Ora 11:40 - Deputeti socialist Damian Gjiknuri kryesoi listën e gjatë të deputetëve që do të diskutojnë sot në Kuvend, në lidhje me zëvendësimin ose jo të anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho. Deputeti i PS-së akuzoi kryeministrin Berisha se po tenton të manipulojë zgjedhjet përmes kontrollit të KQZ-së.

“Qëllimi i këtij zotërisë është se do KQZ për të zabotuar disa procese. Ky do të zbatojë pikë për pikë skemën që zbatoi me zgjedhjet në Tiranë. Zgjedhjet realisht janë në rrezik, këtij i intereson mbi të gjitha grabitja e certifikatës së zgjedhjeve, që të jetë prap njësoj si në ’97, për të negociuar prap daljen e tij në politikë. Kësaj radhe nuk gjen dot një referencë ligjore. Kësaj radhe nuk ka shanse, po e provokon popullin dhe do të përballet me pasojat. Këtu po dhunohet populli në të drejtat e tij. Tërhiquni kësaj iniciative, pasi pasojat do të jenë të paparashikuara.”- u shpreh Gjiknuri.

Sipas deputetit socialist, marrëveshjet nuk mund të qëndrojnë mbi ligjet dhe Kushtetutën. “Me teorinë e Berishës marrëveshjet na qëndrokan mbi ligjet. Po Lefteri Lleshi, çfarë i takon Berishës dhe Metës tek zgjedhja e Lefteri Lleshit që është zgjedhur nga PD dhe LSI. Po rrezikohet realisht mbajtja e zgjedhjeve të lira.”- vijoi Gjinkuri.

PALOKA: PRISHJA E BARASPESHES NE KQZ KERCENON ZGJEDHJET
Ora 11:30 – Në fillim të seancës plenare, deputeti demokrat Edi Paloka lexoi relacionin e PD-së, ku renditen arsyet e kërkesës për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së, të propozuar nga LSI. Sipas Palokës, prishja e baraspeshës së KQZ-së, pas largimit të LSI-së nga koalicioni qeverisës, përbën kërcënim për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Ndërhyrja duhet bërë pa hezitim. Në kushtet kur procesi zgjedhor ka filluar prej kohësh dhe KQZ dhe nivele të tjera marrin përditë vendime të rëndësishme, në emër të grupit parlamentar kërkoj që kjo situate të zgjidhet nga Kuvendi, në mënyrë që të mos cënohet puna dhe eficenca e KQZ-së. Komisioni i Ligjeve i rekomandon kuvendit të lirojë nga detyra anëtarin e KQZ, Ilirjan Muho, të propozuar nga LSI, dhe të zëvendësohet vakanca e krijuar”- u shpreh Paloka.

PS MBLEDH GRUPIN PARLAMENTAR PARA SEANCES
Ora 10:00 - Deputetët socialistë mblodhën sot në orën 09:00 grupin parlamentar, ku vendosën rreth mënyrës se si do të reagojnë në seancë. Në përfundim të mbledhjes, që zgjati rreth 30 minuta, nuk pati asnjë deklaratë për mediat në lidhje me vendimet e marra. Por në mbledhjen e mëparshme të grupit, ditën e enjte, kur u shty edhe votimi për këtë çështje, deputetët diskutuan për një reagim të ashpër deri në bllokim të punimeve të Kuvendit. Pati edhe mendime për bojkot, por kjo nuk u pranua nga kryetari Rama.

ZGURI: SHKARKIMI NGA KUVENDI, RAST I PERSERITUR
Ora 07:20 - Një prej ish-anëtarëve të KQZ-së dhe njëherësh një prej kandidatëve të propozuar nga Partia Republikane për të zëvendësuar Muhon, Klement Zguri ka thënë se shkarkimi i një anëtari KQZ-je është një situatë e përsëritur në Shqipëri. Sipas tij, mandati i anëtarëve të KQZ-së është ndërprerë në vitin 2004, në vitin 2008 dhe në vitin 2012. Këto mandate, ka sqaruar Zguri janë ndërprerë për shkak të marrëveshjeve politike dhe jo për shkak të parashikimeve të Kodit Zgjedhor, siç e pretendon opozita që i referohet nenit 18 të këtij kodi.

Në bazë të këtij neni, mandati i anëtarit të KQZ-së përfundon kur ai kryen veprimtari politike, mbush moshën për pension, vdes, jep dorëheqjen nga detyra ose kur cenon veprimtarinë e KQZ-së, parashikime këto, të cilat nuk janë ndërmarrë nga anëtari i LSI-së në këtë institucion. Po sipas Klement Zgurit, edhe në rastet e iniciativave të ndërmarra nga Kuvendi në vitin 2004, në vitin 2008 dhe në vjeshtën e 2012, asnjë prej këtyre pikave nuk ekzistonte në kushtet kur Kuvendi ka vendosur të ndryshojë me votë parlamentare trupën e KQZ. Gjithçka mbetet për t’u parë sot në seancë.

Paralelisht me negociatat duket se po vazhdon edhe kalkulimi i votave në Parlament. Ndryshimi i anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkon minimumi 71 vota, çka do të thotë se demokratët duhet të kërkojnë vota përtej koalicionit të tyre për të arritur këtë shifër.

Aktualisht, Partia Demokratike ka 66 deputetë në Kuvend dhe kjo shifër shkon në 69 po të llogariten edhe votat e dy deputetëve të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe një votë e Partisë Republikane. Këto janë votat 100 për qind të sigurta të koalicionit të djathtë. Në të njëjtën kohë, vota të mundshme për t’iu bashkuar alternativës së shkarkimit të anëtarit të LSI-së mund të konsiderohen edhe ato të dy ish-deputetëve të PS-së, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli, të cilët janë shprehur se mbështesin PD--në në këtë nismë.

Të pavendosur janë dy deputetët e tjerë të pavarur, Kastriot Islami dhe Dritan Prifti. Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka 61 deputetë, të cilët nëse do të ketë votim në seancën e sotme, do të jenë të gjithë të pranishëm. Këtyre votave u shtohen edhe katër të LSI-së, e cila është më e prekura e këtij votimi, por edhe vota e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Në të njëjtin krah pritet të rreshtohet edhe deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa. 

(er.nu/d.b/ma.ar/e.m/BalkanWeb) Lidhje te tjera KQZ, Muho: Nuk dorëhiqem, jam betuar në Kuvend. Meta: Largimet hakmarrje politike Arvizu: Ndryshimi i rregullave në mes të lojës, e gabuar OSBE, Wollfarth: Palët të dialogojnë, tani do pres të shoh si do veprojnë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›