Topalli: Në 21 janar, dështoi plani i Ramës

“Në datën 21 janar, u thye rendi kushtetues. Sulmi është kryer për të përmbysur qeverinë legjitime. Dhuna është e nxitur nga Rama, Ruçi, Gjinushi.” Kjo ishte dëshmia e kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli gjate Komisionit Hetimor, ndërsa drejtoi gishtin mbi kreun e PS-së Edi Rama, si përgjegjësin e kësaj demostrate.
“Kjo ishte një dhunë e planifikuar financiarisht. Kam parë 200-300 persona të cilët rrethuan kryeministrinë ku hidheshin tulla, gurë dhe qëllonin me hunj e drurë policët. Në 21 janar kam parë që me forcë hodhën derën e kryeministrisë. Kam parë rrugacë dhe policë të përmbajtur, gardiane të cilët u treguan të vetëpërmbajtur”.
Duke e cilesuar si një ndër ngjarjet më të shëmtuara në historinë e shtetit shqiptar, për Topallin kjo bëhej për të vetmen arsye, marrjen e pushtetit me dhunë, për të përmbysur një qeveri legjitime.
"21 Janari ishte një ditë e keqe e tmerrshme, ditë turpi turpi, një ditë dhune e komanduar e planifikuar e financuar nga Edi Rama. Hetim të plotë të gjithanshëm, përgjegjësi kryesor është Edvin Kristaq Rama.
Kam parë njerëz me armë dhe ky është fakt, kam parë njerëz që hynë brenda kryeministrisë, dhe ky është fakt, kam parë njerëz të paguar dhe ky është fakt, kam parë rrugecër që dogjën flamurin kombëtar, kam parë një polic që i gjakosur mori flamurin e futi në gjoks. Duke mbrojtur flamurin mbrojti nderin, mbrojti ligjin".
Në nder të katër viktimave të 21 janarit, Topalli shprehu ngushëllimet e saj duke kërkuar njëkohësisht një hetim të plotë për të gjetur dhe vënë përpara drejtësisë të gjithë përgjegjësit, ndonëse për të ka vetëm një emer, “ Pergjegjesi ka vetëm një emer, eshte Edi Rama, per te ngritur fronin e tij me gjakun e shqiptarëve”.