Topalli: Një shans i madh për promovimin e Shqipërisë Europiane dhe Kosovës së pavarur
Përfundon punimet Konferenca botërore e kryetarëve të parlamenteve
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, në cilësinë e zëvendëspresidentes së Unionit Ndërparlamentar, IPU, drejtoi dje, seancën e pasdites, Konferencën Botërore të kryetarëve të parlamenteve, që po mbahet në pallatin e OKB, në Gjenevë.
Kryetarja e Kuvendit e cilësoi këtë organizim, si një mundësi të jashtëzakonshme për të folur për progresin e Shqipërisë dhe veçanërisht për të lobuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe rritur numrin e vendeve edhe nga Afrika, Amerika latine Azia etj.
Proceset integruese të Shqipërisë dhe shteti i ri i Kosovës ishin kryefjalë të takimeve të shumta që, kryetarja e Kuvendit zhvilloi me homologë nga e gjithë bota.
“Ishte një forum i jashtëzakonshëm, së pari për të folur për një Shqipëri që është e transformuar, qëllimi kryesor, për të cilin unë isha këtu, është edhe çështja e Kosovës, pavarësia e të cilës, është një realitet i pakthyeshëm. Unë e konsideroj një shans të jashtëzakonshëm, mundësinë për t’u takuar me një numër jashtëzakonisht të madh të kryetarëve të parlamenteve të të gjithë botës”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.
Ajo vuri në dukje se “aty ishin rreth 200 kryetarë parlamentarë nga 180 vende të botës. Pata mundësinë që të takoja ata kryetarë të atyre vendeve, që ne nuk kemi raporte aq të afërta”.
“Padyshim ky është një shans që është shfrytëzuar dhe besoj se duhet të ketë një vijimësi, gjë që do e bëjmë së bashku me kolegët e tjerë dhe me institucionet e tjera shqiptare. Unë jam shumë e kënaqur për vetë faktin se, u fol për Shqipërinë, për këtë vend që ka pasur transformimin më të jashtëzakonshëm, në një kohë shumë të shkurtër dhe për paqen, që ka sjellë pavarësia e Kosovës në rajonin tonë”, deklaroi në prononcimin e saj, pas përfundimit të punimeve të konferencës, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.