E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zv/kryeministri Meta: Rama ka mllef të vjetër ndaj Priftit

Kryediplomati shqiptar thotë se nuk është i rastësishëm debati i ditëve të fundit ndërmjet kryetarit të socialistëve, Edi Rama dhe ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti. Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta u shpreh se Rama ka një xhelozi të vjetër ndaj deputetit të LSI, xhelozi të cilën s’ka mundur ta kapërcejë edhe pas viteve të tëra. “E gjithë kjo ka për bazë një mllef të vjetër të kreut të PS Rama ndaj përfaqësuesit të LSI në qeveri Dritan Prifti. Konflikti Rama-Prifti ka ekzistuar që kur kemi qënë të gjithë se bashku në të njëjtën parti, në PS. Aktualisht PS krijon një klimë të pandershme. Ortaku i Priftit është farmaceutik prej 15 vjetësh”, u shpreh Meta, duke shtuar se “përshëndes nismën e PS-së për të hetuar pasurinë e Priftit”. “Ministri është korrekt me ligjin ndaj shiti aksionet”- tha më tej ai. Ministri i Jashtëm Meta ju përgjigj interesit të medias dhe mbi ecurinë e negociatave mazhorancë -opozitë. Duke shprehur padurimin për mbërritjen sa më parë në një marrëveshje, pse jo dhe sot, Meta la qartë të kuptohet se opozita e ka në dorë zgjidhjen, nëse pranon opsionin ligjor dhe kushtetues të saj. Meta sqaroi gjithashtu votën ‘pro’ të LSI, dekreteve të Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë e Kushtetuese, çfarë është komentuar si qendrim kundër PD. Por ministri i Jashtëm jep një tjetër arsyetim që nuk lidhet aspak me marrëveshjen qeverisëse me PD. Këto komente zëvendëskryeministri Meta i bëri pas kthimit nga Kabuli si pjesëmarrës në një konferencë ndërkombëtare e rëndësishme për sa i takon stabilizimit të situatës në Afganistan.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›