Mbyllet pa rezultat takimi i dytë Patozi-Ruçi, për zgjidhjen e ngërçit politik

Mazhoranca çdo garanci për opozitën, duke respektuar ligjet dhe kushtetutën
Tryeza e dytë e takimit ndërmjet negociatorit demokrat Astrit Patozi dhe atij socialist Gramoz Ruçi, është mbyllur pa një rezultat të qartë lidhur me vijimin e negociatave për zgjidhjen e ngërçit politik. Dy kryetarët e grupeve më të mëdha parlamentare, PD-PS, u takuan sot pasdite në ambientet e kryesisë së Kuvendit, për të negociuar hapësirat e lejuara për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve politike, të nisura plot një vit më parë, pas zgjedhjeve të përgjithshme. Ndonëse javën e kaluar të dy palët arritën një marrëveshje paraprake për hetimin e materialeve zgjedhore dhe ngritjen e komisionit hetimor me shumicën dhe kryesimin e opozitës, qëndrimi nuk ishte final lidhur me mbylljen e një kapitulli të tej zgjatur marrëdhëniesh të kushtëzuara të opozitës me Kuvendin. Mazhoranca është shprehur e gatshme për t’i ofruar çdo garanci ligjore palës opozitare, për shqyrtimin e pretendimeve të tyre. Mospajtimi i opozitës për çështje specifike që lidhen me hetimin e zgjedhjeve, duke nisur nga hapja e kutive të votimit, të cilat censurohen nga nene të veçanta të Kodit Zgjedhor, vendimit të gjykatave, ligjit në fuqi dhe Kushtetutës, është një tregues i qartë i integritetit të cekët politik të liderit opozitar dhe paaftësisë për të respektuar rregullat demokratike.
Një javë më parë, Patozi dhe Ruçi ranë dakord për ngritjen e komisionit parlamentar hetimor, që kryesimi dhe mazhoranca e anëtarëve të komisionit t’i përkasë Partisë Socialiste. Por çështja ku palët ndahen nga ku është e pamundur arritja e konsensusit politik është endja e Edi Ramës pas kutive të votimit prej plot 1 viti me radhë.
Mazhoranca konsideron të vlefshme ligjërisht hetimin e materialeve zgjedhore dhe djegien e fletëve të votimit, e cila parashikohet në nenin 178 të Kodit Zgjedhor, dokument ky që është firmosur me vullnet të lirë nga kryesocialisti Edi Rama, 15 muaj më parë. Një opsion i vlefshëm për klasën politike, është që opozita t’i drejtohet Komisioni të Venecias, për çështjen e kutive të votimit. Megjithatë, raundi i dytë i bisedimeve PD-PS, pritet të shërbejë si një kohë e mjaftueshme reflektimi për Edi Ramën, i cili duhet të logjikojë tashmë se koha dhe prirja e tij prej rebeli ka përfunduar. Takimi i ardhshëm, pritet të sjellë në një zgjidhje qëndrimet mes tyre, duke i dhënë fund në këtë mënyrë zhbllokimit të ngërçit prezent në sfondin politik që prej 28 qershorit të vitit 2009. Marrëveshja duhet të jetë e konturuar në një formë të tillë ku Partia Socialiste do të pranojë që të hetohen vetëm materialet zgjedhore dhe të digjen materialet zgjedhore, sipas nenit 178 të Kodit Zgjedhor, që ka të bëjë me asgjësimin e fletëve të votimit, pas skadimit të afateve kushtetuese nga zhvillimi i zgjedhjeve.