Topalli: Opozita ka bllokuar reformën zgjedhore, duke dëmtuar vendin dhe veten
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka pritur në një takim Drejtorin për Zgjerimin e BE dhe Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme, në Mbretërinë e Bashkuar, Ouen Jenkins.
Gjatë takimit, Topalli duke folur për zgjedhjen e presidentit, ka thënë se kjo gjë ka ndodhur brenda kornizës, afateve, frymës dhe germës së Kushtetutës.
Duke folur për reformën zgjedhore, ajo është shprehur se ka përfunduar rreth 90% e punës. Por, sipas saj, bllokimi i reformës nga ana e opozitës, dëmton rëndë vendin dhe vetë opozitën.
Në fakt, opozita akuzon mazhorancën se është duke zvarritur qëllimisht reformën zgjedhore. Ndërsa Topalli pretendon të kundërtën.
Shqipëria ka kryer transformime të mëdha, është një model progresi ekonomik, me një rol aktiv dhe konstruktiv në rajon. Unë mendoj se marrja e statusit të vendit Kandidat, përbën një inkurajim të jashtëzakonshëm për të gjithë shqiptarët në të ardhmen e tyre në BE, vijoi më tej Topalli.