Shpjegim i gjatë i Artan Hoxhës, por një pyetje nuk merr përgjigje
Në një shkrim të botuar sot në gazetën Panorama (http://www.panorama.com.al/argument/kandidati-per-president-artan-hoxha-historia-ime-me-sigurimin-e-shtetit/), Artan Hoxha shpjegon gjerë e gjatë historinë e tij me Sigurimin dhe mënyrën sesi arriti të merrte të drejtë studimi pa bashkëpunuar me të, ndërkohë që familja e tij ishte e persekutuar nga regjimi komunist. Nuk mund të ndjesh veçse keqardhje për rininë e vështirë që ka kaluar Artani i përshkruar në shkrimin e Hoxhës. Dhe veçse të ngjallet urrejtje për një regjim që i torturonte të rinjtë psikologjikisht, për diçka që prindërit apo gjyshërit e tyre mund të kishin bërë.
Sidoqoftë Hoxha nuk i përgjigjet në shkrimin e tij një pyetjeje që është ngritur në opinionin publik pas deklaratës së Mustafa Nanos në Top Channel se është thënë vazhdimisht se Artan Hoxhës, andej nga viti 1993 a 1994, kur ishte ministër, i është bërë presion nga Berisha nëpërmjet dosjes së sigurimit.
Artan Hoxha ka deklaruar se nuk do ta tolerojë më baltën që i është hedhur në këto 22 vjet dhe do të luftojë që ta pastrojë emrin e vet në publik. Por një luftë më parimore e tij do të ishte ajo për hapjen e dosjeve të Sigurimit për të gjithë. Në këtë mënyrë, do të pastrohej jo vetëm emri i tij, por edhe i shumë të tjerëve që janë përfolur si informatorë të Sigurimit në këto 22 vjet.
Shënim: Qarkullojnë fjalë se shumë fashikuj ose dosje të tëra të informatorëve të Sigurimit janë zhdukur. Kjo mund të jetë e vërtetë, por, sipas Fatos Klosit, regjistri me emrat dhe nofkat e informatorëve të Sigurimit ekziston ende në SHISH dhe është pothuaj e pamundur të zhduket.
