Topalli: Opozita të tregojë vullnet për imunitetin. Kuvendi shtyn për javën e ardhshme votimin për reformën zgjedhore
Mes debateve në Kuvend, kreu i deputetëve socialistë, Gramoz Ruçi deklaroi se opozitës po i mohohet një kontroll, ai në ministrinë e Mbrojtjes. Çka provokoi dhe reagimin e kryeparlamentares Topalli. Kryetarja e Kuvendit tha se deputetët e opozitës e kanë shndërruar parlamentin në arenë shpifjesh, ndërsa kujtoi se pas heqjes së imunitetit ligjvënësit s’do jenë më imunë ndaj akuzave të pabaza dhe shpifjeve. “Opozita të pranojë heqjen e imunitetit. Dua ta shoh pozitivisht vullnetin tuaj që në këtë sallë të mos hidhen shpifje”- tha ajo.
Ndërkohë, parlamenti ka shtyrë për të enjten e ardhshme votimin për reformën zgjedhore. Kreu i grupit parlamentarë të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi kërkoi zbardhjen sa më shpejt të draftit në mënyrë që të gjithë deputetet të njihen me të.
“Sapo përfundoi mbledhja e konferencës së kryetarëve dhe u vendos që drafti për reformën zgjedhore të përfshihet në axhendën e ardhshme. Drafti duhet të vijë në parlament në mënyrë që deputetët të njihen me të dhe mos të ndodhë që të vijë ditën e enjte dhe më pas të diskutohet” - dekaroi Ruçi. Sipas kryeparlamentares Topalli duhen 3 ditë për t’u zbardhur drafti nga komisioni i reformës zgjedhore dhe më pas do t`i paraqitet deputetëve për t`u miratuar më pas në seancën e së enjtes. “Unë do t’i nxis, që deputetët të kenë gati, duke shtuar se, pavarësisht dëshirës për të votuar sot, të enjten e ardhshme do të miratohet reforma zgjedhore”- shtoi Topalli.