Topalli: Opozitës i intereson të ndahet nga e kaluara komuniste
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i ka bërë thirrje opozitës që të miratojë ligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë të shtetit. E pyetur në lidhje me braktisjen e Komisionit të Ligjeve nga opozita e cila kundërshtoi ligjin e PD-së për spiunët, Topalli u shpreh se opozitës i intereson që të ndahet nga e kaluara që lidhet me regjimin komunist në Shqipëri. “Nëqoftëse e keni fjalën për ditën e sotme, unë mendoj se askujt më shumë se opozitës nuk i intereson që të ndahet nga e shkuara. Unë besoj se deputetët do të dinë të negociojnë për të punuar së bashku, për ta kaluar sa më shpejt këtë ligj të rëndësishëm. Pastaj, mendoj se mund të ketë iniciativa të tjera të rëndësishme për të dënuar komunizmin. Natyrisht mendoj se kjo duhet bërë pa arrogancë, por me një ndërgjegje të thellë”, është shprehur Topalli, ndërsa ka theksuar se është e domosdoshme që të bëhet transparencë me të kaluarën e individëve që mbajnë poste të rëndësishme. “Unë vazhdoj të përsëris se ata që kanë qenë pjesë e gjyqeve politike, e krimeve të komunizmit, apo bashkëpunëtorë të sigurimit, ata nuk mund të jenë në politikë, në jetën parlamentare, nuk mund të jenë në krye të institucioneve të shtetit. Këtu kam parasysh që nga Presidenti i Republikës, Kuvendi, qeveria, ministrat, gjykatat, Prokuroria e Përgjithshme apo dhe institucionet që lindin nga Parlamenti”, është shprehur Topalli ndërsa ka ftuar opozitën që të bashkëpunojë në Komisionin e Ligjeve për të miratuar brenda javës së ardhshme ligjin për spiunët.
19 Korrik 2008