E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha vazhdon turin në bregdetin e jugut, përuron investimet e qeverisë



Kryeministri Sali Berisha në vazhdim të turit të tij “Shqipëria në NATO”, është ndalur dje në fshatrat e jugut të vendit. Kështu Berisha ka marrë pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve për rregullimin dhe sistemimin e qendrës së fshatit Dhërmi. Ky është një investim i qeverisë qendrore dhe asaj vendore me vlerë 7.3 milionë lekë. Kryeministri vlerësoi se ky është një projekt bashkëkohor që do ta shndërrojë Dhërmiun në një qytezë të vërtetë turistike. “Ky projekt do të ringrejë infrastrukturën e plotë të këtij fshati duke i dhënë atij tiparet e një qyteze turistike”, u shpreh Kryeministri. Më pas Kryeministri vizitoi shtëpinë e shkrimtarit të mirënjohur Petro Marko, ku u shpreh se ajo duhet të rindërtohet dhe të kthehet në shtëpi muze. “Jeta e tij është një nga më të pasurat dhe të veçantat, shkrimtar, intelektual dhe luftëtar i lirisë që nuk u mposht asnjëherë, por u qëndroi besnik parimeve që besoi. Petro Marko është krenari jo vetëm për Dhërmiun por për gjithë Shqipërinë”, u shpreh Kryeministri. Në nderim të figurës së shkrimtarit të madh kryeministri u propozoi përfaqësuesve të pushtetit vendor që sheshi qendror i Dhërmiut të marrë emrin “Petro Marko” pas rikonstruksionit. Gjithashtu Kryeministri kërkoi nga Ministri i Kulturës shpalljen e një konkursi për gdhendjen e një busti të shkrimtarit Petro Marko për ta vendosur në qendër të sheshit të Dhërmiut. Në vazhdim të vizitës në fshatrat e bregut, Kryeministri Berisha u ndal në fshatin Gjilek ku edhe përuroi fillimin e ndërtimit të sistemit të ri të furnizimit me ujë të kësaj zone. Ky projekt bashkëfinancohet nga Banka Botërore, Bashkimi Evropian, qeveria shqiptare dhe bashkia Himarë, me vlerë 35 milionë lekë. Gjatë vizitës kryeministri Berisha u ndal në Palasë ku i’u prezantua projekti i rrugës së kësaj zone, i cili është në proces tenderimi. Kryeministri Berisha u shpreh se me këtë projekt çelet sipari i dhjetëra projekteve të tjera që shtrihen nga Orikumi në Ksamil.

19 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›