E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, raport për zgjedhjet e 8 Majit në Kongresin e SHBA

Ndonëse zgjedhjet vendore tashmë mund të konsiderohen një kapitull i mbyllur, socialistët nuk heqin dorë qoftë nga denoncimi i tyre në organet e ligjit (PS ka paraqitur dy padi penale në prokurori), ashtu edhe nëpërmjet njohjes së partnerëve ndërkombëtarë me shkeljet e pretenduara për këto zgjedhje dhe krizën politike që ato kanë prodhuar. Këtij qëllimi duket se i shërben dhe një vizitë që po zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deputeti socialist Damian Gjiknuri, i cili ishte dhe një nga juristët që u angazhua më nga afër në mbrojtjen e pretendimeve të PS-së para Kolegjit Zgjedhor përsa i përket garës së Tiranës. Edhe pse PS nuk ka bërë publik ndonjë fakt lidhur me këtë vizitë, një video e publikuar në faqen online nga mbledhja e Komitetit të Rregullave në Kongresin Amerikan tregon për një nga takimet e Gjiknurit me kongresmenët amerikanë. Kongresmeni Alce Hasting, i cili është dhe anëtar i Komitetit të Helsinkit të Kongresit, i bën një prezantim në këtë komitet deputetit Damian Gjiknuri, duke përmendur ndër të tjera se Shqipëria është një vend që mbështetë interesat amerikane sidomos në luftën kundër terrorizmit. “Zoti kryetar, me lejen tuaj dua t’ju njoftoj se sot në këtë seancë kemi prezent deputetin nga Shqipëria, zotin Damian Gjiknuri. Dua të theksoj se në atë Parlament ka njerëz të cilët janë mbështetës të interesave amerikane, siç është lufta kundra terrorizmit në Afganistan, sikurse dua të theksoj se marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve janë të shkëlqyera”, - shprehet kongresmeni amerikanë në këtë video duke prezantuar Gjiknurin, i cili siç mësohet ka zhvilluar dhe një sërë takimesh të tjera. Burime nga PS kanë bërë të ditur dje se në qendër të kësaj vizite ka qenë njohja e bashkëbiseduesve me shkeljet e hasura në procesin zgjedhor, krizën politike që rigjeneruan ato në Shqipëri, si dhe nevojën e një ndërhyrjeje të politikës amerikane në zgjidhjen e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›