E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: PS të njohë legjitimitetin e votës

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, i bën të qartë PS-së se zgjedhjet në vend ishin të lira dhe të ndershme dhe kush nuk njeh legjitimitetin e votës, nuk njeh sistemin. Në takimin e zhvilluar dje me përfaqësues të Komisionit të Arsimit në Kuvendin e Kosovës, Topalli foli për zhvillimet në vend, duke theksuar se Shqipëria po ecën me ritme të shpejta drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Këto janë kohëra vendimtare për kombin. Kosova është e pavarur. Shqipëria është në NATO. Shpresojmë së shpejti të hiqen edhe vizat për shqiptarët. Në Shqipëri bëmë zgjedhjet më të mira dhe transparente, të vlerësuara si të tilla edhe nga ndërkombëtarët. Kush nuk njeh legjitimitetin e votës, nuk njeh sistemin, - tha Topalli. Sipas saj, është koha që edhe opozita dhe lideri i saj të tregojë përgjegjësi ndaj shtetit në këto momente historike. Dashuria për vendin dhe njerëzit, përgjegjësia ndaj shtetit bën që të ecim në rrugë të mbarë, - u shpreh znj. Topalli. Përfaqësuesit e Komisionit të Arsimit të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Arsim Rexhepi, i shprehën kryetares së Kuvendit mirënjohjen për ndihmën që ka dhënë shteti shqiptarë. Deputetët e Kosovës deklaruan se edhe pse shteti i tyre nuk është anëtar i NATOS, djegia e flamurit të NATO-s në bulevardin e Tiranës nga disa militantë ishte diçka shumë e rëndë që i lëndoi të gjithë. Në bisedën më kryetaren e Kuvendit, deputetët e Komisionit të Arsimit të Kosovës shtruan idenë e organizimit të një takimi të komisioneve të arsimit të rajonit në Prishtinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›