E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: PS të sjellë emrat për anëtarë në KQZ, Rama të mos kërkojë alibi për humbjen

22-05-2013 / Gazeta 55

Kryeparlamentarja, takim me Drejtoren e NDI  


“Jemi të angazhuar për një proces zgjedhor të standardeve më të larta ndërkombëtare”, konfirmoi Kryeparlamentarja Jozefina Topalli gjatë takimit që zhvilloi me Drejtoren e NDI (Instituti Demokratik Amerikan për Çështje Ndërkombëtare) në Shqipëri, Ana Kadovic dhe ekspertin e lartë zgjedhor Sam Sager. Duke biseduar për procesin zgjedhor, Jozefina Topalli tha se fushata zgjedhore po shkon shumë mirë në të gjithë Shqipërinë. “Interesi ynë më i madh është mbarëvajtja e zgjedhjeve, tha ajo. “Transparenca e zgjedhjeve të kaluara u cilësua si maksimale, krahasuar edhe me vende të tjera. Transparenca është shtylla kryesore e legjitimitetit dhe besueshmërisë së procesit zgjedhor”, deklaroi Topalli. Më tej, gjatë takimit, ajo shprehu besimin që Kryetari i PS, Rama të sjellë emrat për KQZ-në. “Unë shpresoj shumë që Rama të mos e përdorë këtë si alibi kur të humbë zgjedhjet”, tha Topalli.  Ajo bëri të ditur se “Parlamenti është gati në çdo moment të mblidhet për të votuar emrat që opozitës i takon të sjellë, sipas kodit zgjedhor. KQZ, po vijon punën e tij në respekt të ligjit. Përbërja e këtij komisioni është votuar me konsensus mbi principin e balancimit dhe anëtarët e tij duhet të zbatojnë dhe respektojnë ligjin.” Në takim u tha se vendet në KQZ duhet të plotësohen dhe është e rëndësishme që të gjitha palët të ndikojnë dhe të kontribuojnë në besimin tek zgjedhjet. NDI do të këtë një numër vëzhguesish në zgjedhjet e 23 qershorit dhe për Jozefina Topallin prania sa më e madhe e vëzhguesve është shumë e rëndësishme.  Ajo ka ftuar vëzhgues nga Asambletë parlamentare të OSBE-së, KiE, Parlamenti Europian etj për të qenë dëshmitarë në procesin zgjedhor në Shqipëri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›