E Diel, 1 Nëntor 2026

PS po përpiqet të pengojë procesin zgjedhor, duke keqpërdorur rolin e anëtarëve të saj në KQZ

22-05-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha pret përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zotin Roberto Battelli dhe ambasadorin Andreas Nothelle
 
Kryeministri Sali Berisha priti takoi dje anëtarin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, z.Roberto Battelli i cili shoqërohej edhe nga kreu i zyrës së Asamblesë Parlamentare në Vjenë, ambasadori Andreas Nothelle. Kreu i qeverisë vlerësoi kontributin e të dy personaliteteve të nderuar në Konferencën e Nivelit të Lartë të OSBE-së mbi Tolerancën dhe Mosdiskriminimin, të mbajtur dje në Tiranë. Kryeministri Berisha shprehu gjithashtu kënaqësinë dhe mirënjohjen e tij dhe te qeverise shqiptare për angazhimin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve të 23 qershorit në Shqipëri. Kryeministri Berisha siguroi zotin Battelli dhe ambasadorin Nothelle për vendosmërinë dhe angazhimin e qeverisë shqiptare që zgjedhjet e 23 qershorit të jenë zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri. Gjithashtu, kryeministri Berisha u rishprehu atyre dëshirën dhe kërkesën e qeverisë shqiptare që OSBE-ja dhe organizma të tjerë, si Këshilli i Evropës apo vendet anëtare të OSBE-së, të nxisin dërgimin e sa më shumë vëzhguesve në Shqipëri, për të vlerësuar nga afër procesin zgjedhor. Kryeministri Berisha i njohu te dy zyrtaret e OSBE-se me arritjet e rëndësishme që janë shënuar gjatë kësaj periudhe, si për sa i përket kuadrit zgjedhor ashtu edhe infrastrukturës zgjedhore në përgjithësi. Zbatimi i të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR në Kodin Zgjedhor, bazuar tërësisht mbi propozimet e opozitës, u vlerësua si një tregues jashtezakonisht pozitiv. Arritje të tjera që u vlerësuan si shumë të rëndësishme gjatë bisedës ishin edhe rritja e numrit të qendrave të votimi, çka eliminon radhët e gjata dhe kontribuon në shkurtimin drastik të kohës që çdo qytetar të ushtrojë të drejtën e tij për të votuar, por edhe rritja e numrit të qendrave të numërimit, të cilat do të bëjnë të mundur që rezultatet e votimit të shpallen në kohën më të shkurter të mundshme, çka perben një hap vërtetë pozitiv për mbarëvajtjen dhe besueshmerine e të gjithë procesit. Kryeministri Berisha i njohu, me tej, zotin Battelli dhe ambasadorin Nothelle, me urdhrin e nënshkruar prej tij i cili ndalon përdorimin e burimeve financiare dhe mjeteve e materialeve e ndryshme të administratës shtetërore të çdo niveli, në shërbim të veprimtarive të fushatës elektorale. Të dy anëtarët e Asamblesë Parlamentare të OSBE e vlerësuan këtë si një hap tjetër të rëndësishëm në shërbim të një procesi zgjedhor sa më të mirë. Në lidhje me problemin e KQZ-së, kryeministri theksoi se Partia Socialiste po përpiqet të pengojë procesin zgjedhor, duke keqpërdorur rolin e anëtarëve të saj në KQZ. Sidoqoftë, mazhoranca është tërësisht e hapur dhe e gatshme për të plotësuar anëtarësinë e KQZ-së me emrat që opozita do të propozojë. Ata e falënderuan kryeministrin Berisha për bashkëpunimin e ngushtë që ai dhe qeveria shqiptare ka dëshmuar në vijimësi dhe po i dëshmon Asamblesë Parlamentarë të OSBE-së, në veçanti për sa i përket angazhimit të Kryeministrit Berisha dhe qeverisë shqiptare që procesi i zgjedhjeve të 23 qershorit të jetë një proces konform të gjitha standardeve ndërkombëtare, si dhe shprehën mirënjohje për vendosmërinë e Kryeministrit Berisha që në Shqipëri të vijë numri më i madh i mundshëm i vëzhguesve për të ndjekur nga afër këto zgjedhje.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›