E Diel, 1 Nëntor 2026

Mosfunksionimi i KQZ në mënyrë të plotë, shqetësim për SHBA

22-05-2013 / Gazeta 55

Ambasadori Arvizu, pas takimit me kreun e PS, Edi Rama


KQZ mbetet për SHBA shqetësimi kryesor që lidhet me zgjedhjet e 23 qershorit. Takimi i ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu me kreun e PS Edi Rama faktoi se përtej këtij shqetësimi, SHBA do vijojë përpjekjet për ti dhënë sa më parë zgjidhje kësaj situate. Edhe në prononcimin e tij pas 30 minutash bisedë me liderin e selisë rozë Edi Rama, diplomati i lartë amerikan ritheksoi zhgënjimin e SHBA-së që vendet e KQZ-së nuk janë plotësuar ende, dhe njëkohësisht rikonfirmoi se do vijojë takim për të bindur partitë të gjejnë gjuhën e kompromisit. Sipas ambasadorit, SHBA-të janë duke ndjekur me shumë vëmendje çdo deklaratë që vjen nga liderët e partive për këtë çështje, por shton se pavarësisht deklaratave, palët janë ende larg një marrëveshjeje. I pyetur nga mediat diplomati amerikan Arvizu konfirmoi se takimet në kuadrin e negociatave janë zhvilluar edhe me parti të tjera. “Unë mendoj se rregullat e lojës e përcaktojnë se të dyja palët duhet të bashkëpunojnë për të plotësuar KQZ. Kemi folur me PS do e bëjmë dhe me parti të tjera këtë gjë. Jo me z Berisha nuk kemi folur, por kemi qenë në kontakt me Partinë Demokratike” theksoi Arvizu. Ambasadori u përcoll pas këtij takimi nga sekretari për çështjet zgjedhore, Damian Gjiknuri, i cili tha se çështja e KQZ-së mund të zgjidhjet vetëm në Parlament. “PS-ja është e hapur për çdo zgjidhje që do të bënte të mundur funksionimin e KQZ-së sipas ligjit. Ne e kemi thënë që jemi të përgatitur që të shkojmë në zgjedhje edhe me këtë komision sepse për ne zgjedhjet përfundojnë në vendin e numërimit të votave. KQZ-ja duhet të kthehet në Parlament pasi Parlamenti është vendi ku u cenua legjitimiteti i këtij komisioni” u shpreh Gjiknuri. Pas dorëheqjes së anëtarëve të opozitës nga KQZ-ja ky komision vijon punën vetëm me 4 anëtarë dhe pse ndërkombëtarët kanë apeluar në mënyrë të përsëritur që ky intitucioni t`i kthehet sa më parë funksionimit normal.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›