E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ne ecim drejt mandatit të tretë, Ramën dhe të majtën do ta lëmë në opozitë edhe për 12 vjet të tjera”

22-05-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e rrugës Shën Koll-Tale-Hidrovor

Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje nga qytetarët e Lezhës mandatin e pestë në zgjedhjet e 23 qershorit. I pranishëm në inaugurimin e rrugës Shën Koll-Tale-Hidrovor në Lezhë kreu i mazhorancës shprehu vendosmërinë e qeverisë për investime të mëtejshme në çdo zonë të vendit. “Po shkojmë drejt 23 qershorit. Të rinjtë dhe të rejat, gratë dhe burrat e këtij qarku, qytetarët e mrekullueshëm të Lezhës e kanë provën e madhe. Çdo qytetar i Lezhës, çdo qytetar i këtij qarku, çdo qytetar i Tiranës, mbarë kombi shqiptar dhe shqiptarët kudo që janë presin nga ju mandatin e artë, mandatin e 5-të. Miqtë e mi, a ju kujtohet juve kur me Pal Dajçin, 10 vjet më parë, na u desh t’u themi atyre se me djemtë e Mamurrasit ne edhe ua japim duart, por ne jemi demokratë dhe besojmë te vota. Ne besojmë te paqja. Se na kërcënonin, na zinin prita, por ato janë të shkuara dhe nuk kanë vlerë. E thash këtë tani që me votën e Kurbinit t’i lëmë në opozitë, të paktën edhe për 12 vjet të tjera”- u shpreh Berisha. Kryeministri shprehu kënaqësinë për inaugurimin e rrugës, e cila zhvillon më tepër këtë zonë, si dhe theksoi se qeveria mbetet e angazhuar për ndërtimin e rrugëve në të katër anët e këtij qarku, pasi rruga kursen kohë dhe ul koston e transportit për qytetarët. Nisur nga shqetësimet e ngritura prej fermerëve gjatë bashkëbisedimeve të zhvilluara, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të bëjë gjithçka, sado që të kërkohet, deri sa të arrihet që edhe fshati më i largët të marrë energji me cilësinë që marrin lagjet e qytetit. “Ne do t’ju ndërtojmë ju infrastrukturën e plotë. Gjatë këtyre viteve ne kemi ndërtuar mbi 10 mijë kilometër rrugë. Ne do të nxjerrim listën kilometër për kilometër për ata që i mohojnë. Ne përsëri kemi për të ndërtuar shumë e shumë të tjera. Unë do t’ju jap vetëm një të dhënë, e cila mund t’ju duket e pabesueshme, por në inventarin e rrugëve dhe rrugicave në qytetin e Tiranës rezultonte se 250 kilometra nuk ishin asfaltuar kurrë. Në Tiranë po të dilni nga qendra zbrisni drejt baltës, por kjo nuk është vetëm në Tiranë. Kështu janë një seri qytetesh tona. Ne do të bëjmë gjithçka të asfaltojmë, ndërtojmë, rindërtojmë rrugë për qytetarët dhe të qytetarëve shqiptarë” - tha kryeministri.
Rikonstruksioni i rrugës Shenkoll - Tale - Hidrovor është në vijim të investimeve të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit në Qarkun e Lezhës. Ky segment rrugor është vazhdimi i segmentit Lezhë - Rrilë - Shenkoll financuar nga fondet e Bashkimit Europian dhe Qeverisë Shqiptare në vitin 2012. Pas rikonstruksionit të rrugës në të dyja anët e rrugës vihet re një zhvillim i konsiderueshëm i bizneseve të turizmit kryesisht bare, restorante si dhe shërbime hoteliere. Nga ky investim përfitojnë direkt banoret e fshatrave Barbulloje, Rrile, Shenkoll, Tale, Gryke Lume etj. Popullsia përfituese është rreth 9.500 banorë. Zona e Shenkollit njihet për aktivitetin e lartë të saj bujqësor dhe blegtoral. Me ndërtimin e rrugës së re banorët do të kenë mundësi, që të rrisin produktet e tyre dhe t’i tregtojnë me lehtësi, si në tregun e Lezhës ashtu dhe pushuesve të shumtë që do të frekuentojnë plazhet e zonës. Përpara investimit rruga ka qenë e degraduar më prani të madhe gropash, mungesë kanalesh kulluese dhe sinjalistikë, dhe në pjesën më të madhe të saj me çakull. Pas rikonstruksionit rruga ka te gjitha parametrat bashkëkohore, me shtresat asfaltike, veprat e artit, bankinat, trotuare në zonat e banuara, sinjalistikën e duhur etj. Kjo rrugë është realizuar në kuadër të ndërhyrjes së FSHZH-së, për lehtësimin e aksesit në zonat turistike dhe bregdetare. Rikonstruksioni i saj ka bërë të mundur që bregdeti i Talës, një ndër plazhet më të bukura të zonës i cili ka qenë i pa shfrytëzuar si rrjedhojë e mungesës së infrastrukturës, të frekuentohet gjerësisht jo vetëm nga banorët e zonës, por edhe nga qytetaret qe vijnë nga rrethi i Kurbinit, Mirditës, Tiranës, nga Kosova e me gjerë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›