E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Pavarësisht bojkotit të opozitës, Parlamenti ruajti funksionalitetin e tij

16-09-2011 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në Washington mes personaliteteve nga e gjithë bota në Forumin Parlamentar për Demokraci

Parlamentarë nga lindja e perëndimi u mblodhën ne Capitol Hill, në Washington, në takimin e Forumit Parlamentar për Demokraci. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ishte e ftuar në këtë Forum, mes një numri të madh personalitetesh nga e gjithë bota, dhe   rreth 100 krerë dhe përfaqësues parlamentesh nga SHBA, Parlamentit Evropian, Kanadaja, Republika Çeke, Gjeorgja, Meksika, Gjermania, Islanda, Italia, Lituania, Norvegjia, Polonia, Portugalia , Suedia, Turqia, Ukraina dhe vende të tjera.
Forumi u përshëndet nga Kryetari i Dhomës së përfaqësuesve të SHBA John Boehner, i cili shkëmbeu një bisedë të shkurtër edhe me kryeparlamentaren Jozefina Topalli.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë në fjalën e saj vlerësoi peshën që merr ky forum, në  një kohe kur vazhdon të rritet numri i atyre vendeve të cilat kërkojnë të kalojnë nga regjime autokratike në demokraci. Duke marrë si shembull rrugëtimin e gjatë dhe të dhimbshëm të Shqipërisë, nga diktatura komuniste në demokraci, kryeparlamentarja Jozefina Topalli foli për vuajtjet dhe pengesat e shumta që shoqëruan këtë periudhë të errët të historisë së Shqipërisë, për të mbërritur deri në fillim vitet 90’. “20-vite më parë, tha Kryetarja e Kuvendit, shqiptarët  më në fund  fituan lirinë, dhe këtu  fillon  magjinë e vetë  e munguara jonë  e madhe. Këtu fillon dhe mrekullia e lirisë! Këto 20-vite kanë qenë vite  të reformave e transformimeve  të guximshme. Në këto pak vite, Shqiptarët kanë rikuperuar shekuj të gjatë. Liria funksionon. 20 vite më parë ne ishim vendi më i varfër në botë. Sot, Shqipëria, vlerësohet ndër ekonomitë e vogla më të stabilizuarat. Sot, Shqipëria nuk është në reçension. Ndërsa para dy dekadash, ne ishim totalisht të izoluar, sot lëvizim në Evropë pa viza. lëvizja e lirë është një tjetër dimension i fuqishëm i lirisë”- tha kryetarja e Kuvendit. Duke folur për parlamentarizimin në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, tha se lejtmotivi i axhendës së parlamentit shqiptar në vitet e fundit kanë qenë reformat. “Parlamenti është institucioni kyç në demokraci. aty konfrontohen momentet kyçe të vendimeve kombëtare. Në vendin tim, lajtmotivi i axhendës së parlamentit janë reforma. Ka pasur periudha kur opozita nuk ka votuar reforma që kërkojnë 3/5 e votave. Kjo ka qenë e dhimbshme për mua. Pavarësisht kësaj parlamenti i ka qëndruar fort misionit te tij”- theksoi Topalli. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, shtoi se 20 vitet e fundit, kanë qenë vite të reformave dhe transformimeve të vazhdueshme. “Sot Shqipëria ka ndryshuar ne mënyrë dramatike. Më lejoni të përsëris se  gjatë rrugëtimit tonë mbështetja e vendeve te lira si SHBA dhe EU ka qene e domosdoshme. Ne u jemi mirënjohës! Dhe kjo asamble globale sot është një forum që ka mundësi e detyrë të mbështesë ato vende, qe po përpiqen te kalojnë nga regjimet autokratike ne demokraci”- deklaroi më tej kryeparlamentarja shqiptare.
Kryetari i Dhomës së përfaqësuesve të SHBA John Boehner, gjatë fjalës së tij vlerësoi rolin që ka luajtur Forumi Parlamentar për Demokraci në fuqizimin e demokracisë
Ai theksoi se Kongresi i SHBA, do vazhdojë të jetë partner i të gjithëve ju. “Me progresin që ka nisur këta 20 vitet e fundit, edhe 20 vitet që do të vijnë, atëherë do të ketë më shumë demokraci, kudo në botë”- tha kongresmeni John Boehner.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›