E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guardiola hidhet në sulm: Premtoj lojë, jo trofe

SPANJE- Kanë mjaftuar dy barazime, një në kampionat dhe një në Champions League, që mbi Barcelonën e Pep Guardiolës të ngrihen dyshimet e para. Kritika, që e kanë nervozuar jo pak trajnerin katalanas, i cili dje ka kaluar në sulm, si rrallëherë që kur ka marrë drejtimin e Barçës. “Që kur kam ardhur këtu, unë nuk kam premtuar asgjë, - deklaroi Guardiola tepër i nxehur. – Nëse ju pëlqejnë fjalët që bëjnë efekt, po ju them se këtë vit ndoshta nuk do të fitojmë asgjë. Ajo që premtoj unë është se do të luajmë gjithnjë për të fituar, siç bëmë me Real Sociedad dhe Milanin, kur gjuajtëm 23 herë në portë dhe patëm 70 % të kontrollit të topit. Por, nuk mund të premtoj trofe”, shtoi ai. Por, sulmi i Guardiolës nuk ka mbaruar këtu, pasi ai nuk është aspak dakord me kritikat që i bëhen ekipit të tij. “Ne jemi një nga 20 skuadrat që mund të fitojë kampionatin. Unë nuk premtoj kurrë asgjë, objektivat arrihen me punë. Nuk kam qenë ndonjëherë i sigurt për atë që do të fitoja dhe nuk do të jem as këtë vit. Ndonjëherë luajmë keq edhe kur fitojmë 4-0”, tha tekniku i Barçës. Në lidhje me ndeshjen me Milanin, ai tha: “Nuk mund të jepnim më shumë, ata krijuan pak raste. Italianët luajnë gjithnjë me 8 apo 10 mbrojtës, prandaj edhe fitojnë shumë trofe”.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›