E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse po përpiqet Rama t’i vonojë reformat madhore?

16-09-2011 / Nga Luan Myftiu

Rama me neobllokmenët nuk kanë hequr dorë nga ëndrra që ta kenë Shqipërínë “çifligun” e tyre. Mirëpo, meqë demokracía u ka vënë kufirin te thana, i janë sulur frenimit të reformave, sidomos atyre të domosdoshmeve për integrimin. Se nuk mund të pajtohen mëkatarët e Ramës me europianizímin e një elektorati, të cilin mezí e bënë dje të kishte frikë edhe të mendonte kundër tyre. Sepse, sado që ta ndryshojë “ujku” qimen, zakonin nuk e harron. Kurse populli thotë dhe që lakminë e ambiciozit nuk e nxë qielli. Aq më pak - grykësínë e atyre, që u mësuan të bënin edhe shiun, edhe diellin. Prandaj asnjë interes kombëtar nuk i frenon lakmitë e xhelatëve, që ta marrin rishtas “peng” Shqipërínë.  Kurse dimensionet e arrogancës së harbutërísë, nuk i rrok dot as imagjinata e sëmurë e një egoisti. Ndoshta prandaj nuk po i ndahen Shqipërísë demonët e diktaturës, gjithë hajdutët e “parajsës” së dajakut. Dhe kështu do të përpiqen ata të frenojnë zhvillimin duke u vënë “barrikada” reformave.
Megjithatë, nuk është e lehtë të pengosh zhvillimin e një popull. Nuk e deformon dot pluralizmin, që montoi aspirata e tij. Vështirë t’i pengosh shqiptarët të kuptojnë se kush ua mori jetën një gjysëm shekulli. Nuk ke si ta mbash “peng” vendin, që të akuzon për të djeshmen kriminale. Nuk del dot Rama kundër integrimit, se e di që për të u flijuan breza të tërë patriotësh. Se Rama me neobllokmenët nuk janë aq naivë, sa të ushqehen me shpresa të kota. Nuk e shpallin dot ata veten kundër aspiratës së një populli, që u kërkon  llogarí për izolimin e djeshëm. Prandaj e përqafojnë integrimin me fjalë, duke e sabotuar me vepra. Dhe jo duke e sharë, as duke e mallkuar ! Jo! Ata e mohojnë integrimin duke paragjykuar qëndrimet dhe veprimet e kundërshtarit, me qëllim që t’i shtyjnë reformat për në kalendat greke. Këta hipokritë e fshehin ligësínë e tyre prapa një “sinqeriteti” prekës. Si të humbur ata e shtyjnë me sa të munden fundin e tyre “fatal”, duke u hequr si proeuropianë të flakët.  Se njeriun mund ta mbytësh edhe me dashurí, ashtu si lirínë mund ta vrasësh duke e tepruar me të. Ndaj Rama me neobllokmenët nuk i votojnë ligjet me shumicë të cilësuar, nga frika se mos mazhoranca u hedh hí syve miqve ndërkombëtarë. (!) Ky është paragjykimi më paradoksal i antieuropianëve. Këta sajues të hershëm të akuzave false, po tentojnë ta izolojnë rishtas Shqipërínë me shtirjen se gjoja e duan atë më europiane se vetë Europa. Por, duke i bërë fëmijës “arkivolin” para se të lindë. Se, po të jetë që Rama ka frikë se mos mazhoranca bën ligje, me të cilat ua hedh ndërkombëtarëve, le të luftojë në kuvend që ato të mos bëhen të tilla. Mirëpo Rama vërtet ka frikë, por nga ligjet e drejta, nga ato që i nxjerrin atij të palarat. Frika nga zbulimi i mëkateve e ka verbuar, sa të mos dallojë që kështu fyen dhe vetë miqtë ndërkombëtarë. I nxjerr ata kështu leshko. Se nuk i thuhet Europës “Hajde, babá, të të tregoj arat!”. Kurse ndaj mazhorancës, me të cilën deklaron se do të bashkëpunojë, nuk shfaq as hijen e mirëbesímit. Se Rama niset nga mendimi që çdo tezë mund të hidhet poshtë me paragjykime. Dhe qyqari Edvin bëhet paradoksal kur, edhe pranon integrimin, edhe mohon reformat e domosdoshme për të. Se dhe diktatura komuniste ia mori shpirtin popullit për të mirën e tij. E la atë edhe pa bukë për zhvillimin e tij, ndërkohë që e pushkatoi për ta ndihmuar të mos binte në gabime më të rënda. Pastaj e izoloi nga bota për të mos e lënë të infektohej nga liría. Diktatura bilé, betohej çdo ditë se kujdesej aq shumë për të mirën e popullit, sa e diferenconte atë me luftën e klasave për të forcuar unitetin “parti-popull”. Madje, ajo i ndaloi popullit çdo kontakt me qytetërímin për t’i ruajtur “virgjërínë” e primitivizmit. (!) Pra, Rama i druhet, jo “hirit syve” Europës prej mazhorancës, por transparencës dhe sinqeritetit të kësaj të fundit. Kurse synimi është të mos zhvillohet Shqipëría. Se, kështu, e integruar, ajo u ikën nga duart mafiozëve. Shuhen shpresat për ta bërë rishtas një ditë “çiflik” të tyre. Se vetëm në një Shqipërí të prapambetur mund të bëjnë ligjin Rama dhe neobllokmenët. Dhe jo duke aprovuar ligjet, që kërkojnë tre të pestat ! Jo! Përkundrazi ! Ato janë “arma”, me të cilën Rama kërkon ta bëjë politikën shqiptare t’u përulet ambieve të tij. Prandaj, edhe pse deklaron që është për integrimin, Rama e pengon atë duke mos i votuar ligjet me shumicë të cilësuar. Se, meqë ligësía s’ka fund, pa fund do të jenë edhe “kushtet” e Ramës ndaj mazhorancës, ndaj ligjeve dhe reformave të saj. Ndoshta prandaj, në vend që në kuvend të luftojë me bindjen se do të aprovojë ligje dhe reforma sa më të mira, Rama ngre “barikada” dyshimesh, kalára pengesash absurde, imagjinare, frikëra të sajuara nga mendja e tij e çoroditur. Dhe të gjitha këto për të “bindur” Shqipërínë dhe botën se hyrja e tij në parlament nuk është zgjidhje, pasi, sipas tij, kjo mazhorancë nuk paska asnjë vullnet pozitiv. Pra, qëllimi i “kujdesit” të Ramës është të kandisë europianët që, para se t’i këshillojnë atij miratimin e ligjeve me tre të pestat, më mirë të bashkohen me alibítë e tij për të larguar nga pushteti këtë mazhorancë e  të sjellin në “poltron” Ramën më shokë. Kështu, pra, idealisti Rama po futet në parlament si ithtar i integrimit, me “kushte” si ato që Enver gangsteri u vinte komunistëve të huaj, kur e këshillonin të humanizonte pak diktaturën, gjë që i rrezikonte katilit “karrigen”. Kurse Rama kërkon të mbetet doemos kryetar i përjetshëm i P.S., ndonëse i ka garantuar asaj vetëm humbje të njëpasnjëshme. Megjithatë, vonesa që Rama po përpiqet t’u bëjë reformave madhore, tregon edhe dështimin e shpresave të tij për kthimin e “avushes” së përmbysur!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›