E djathta, Bushati: Topalli të garojë për Presidente
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është propozuar dje zyrtarisht nga Partia Aleanca Demokristiane si kandidate për postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Një ditë më parë ishte PDK-ja e Nard Ndokës që deklaroi hapur mbështetjen për një mandat të dytë të Bamir Topit në funksionin që mban aktualisht. Në një deklaratë publike Partia Aleanca Demokristiane thotë se po ndjek me vëmendje procesin e vetëdeklarimit dhe të mbështetjes që individë të veçantë apo përfaqësues të subjekteve të vogla politike në Tiranë kanë filluar të bëjnë në prag të zgjedhjes së Presidentit të Republikës në pranverën e vitit të ardhshëm. “Vlerësojmë se Bamir Topi u zgjodh në detyrën e Presidentit i propozuar nga kryeministri Berisha dhe Partia Demokratike, duke qenë i angazhuar në politike në detyrën e nënkryetarit të PD-së dhe kryetar i grupi parlamentar. Topit në asnjë rast nuk i është kërkuar nga forcat e djathta politike të mazhorancës qeverisëse, që gjatë ushtrimit të detyrës së Presidentit të dekretojë ligje apo akte të tjera, që rrjedhin nga funksioni kushtetues i Presidentit, me ngarkesa politike të krahut te djathtë”, thuhet në deklaratën e ADK-së së Zef Bushatit. Ai nënvizon se Bamir Topi përkundrazi, e në kundërshtim me funksionin, ka shprehur hapur bashkëpunimin me të majtët socialistë opozitarë, çka kulmoi dhe me votën e hedhur prej tij për kryesocialistin Edi Rama. Demokristianët thonë se Topi demonstroi paaftësi dhe inkompetencë në kryerjen e detyrës, ndërsa qëndrimet e tij me influenca të qarta politike, duke mbështetur haptas të majtën socialiste, nuk i kanë shërbyer rolit kushtetues të Presidentit si përfaqësues i unitetit të popullit. Aleanca Demokristiane konfirmon se do të mbështesë fuqimisht nëpërmjet një lobingu intensiv kandidaturën e zonjës Jozefina Topalli për Presidente të Republikës së Shqipërisë. “Zonja Topalli është një kandidaturë e plotësuar, e cila ka demonstruar një pjekuri politike e diplomatike si një grua e fortë e me mjaft autoritet kombëtar e ndërkombëtar”, thotë Bushati. Partia Aleanca Demokristiane shpreh gjithashtu bindjen se zonja Topalli me kandidaturën e saj plotëson atë boshllëk në historinë e Presidentëve shqiptare nga viti 1912 që, për herë të parë në historinë e Shqipërisë Presidenti të jetë një zonjë, si dhe një personalitet nga komuniteti katolik shqiptar. “Duke kërkuar mirëkuptimin e vëllezërve tanë shqiptarë të komunitetit mysliman, me të cilët na bashkon gjaku, gjuha e kombi, kërkojmë që edhe ata të mbështesin kandidaturën e zonjës Topalli për Presidente të Republikës së Shqipërisë”, përfundon deklarata. Një ditë më parë ishte një tjetër demokristian, kreu i PDK-së, Nard Ndoka, ai që deklaroi mbështetjen publike dhe politike për rikandidimin e Bamir Topit. Ndoka tha se do t’i kërkonte Partisë Socialiste që të mbështeste këtë kandidat në votimin për kreun e ri të shtetit korrikun e vitit 2012. Nga Partia Socialiste ende nuk ka patur asnjë reagim në lidhje me emrin e kandidatit për President apo rreth faktit nëse do të mbështetet rikandidimi i Topit apo jo për një mandat të dytë.