Topalli: Projekti TAP mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli është takuar sot me kreun e Asamblesë Kombëtare të Azerbajxhanit Oktay Asadov.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Topalli vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona ndërsa shtoi se projekti TAP është mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë.
Ajo gjithashtu shtoi se do të rritet më tej bashkëpunimi me Azerbajxhanin në kuadër edhe të projekti për gazsjellësin TAP. “Dy parlamentet tona kanë ngritur grupet e miqësisë për të çuar më tej bashkëpunimin. Mes Shqipërisë edhe Azerbajxhanit ka mundësi të mira për bashkëpunim ekonomik. Me rëndësi strategjike për Shqipërinë projekti për gazsjellësin TAP” theksoi Topalli.
Një ndër projektet më fizibël në këtë kontekst është Trans Adriatik Pipeline, i njohur si TAP, i cili parashikohet të përshkojë Shqipërinë në trajektoren e tij drejt Italisë dhe Europës dhe do të sjellë përfitime të jashtëzakonshme për tregun shqiptar, atë rajonal e më gjerë, tregun europian.
Ndërtimi i kësaj vepre do të përbënte një arritje të jashtëzakonshme për rajonin, ndërsa familjet shqiptare, në rast se TAP përzgjidhet si projekti fitues, do të mund të përfitojnë nga ky burim shumë i rëndësishëm, i lirë dhe i vazhdueshëm energjie, duke ndikuar drejtpërsëdrejti në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.