E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Prokuroren do e kapja me shkelma

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli sulmon Prokurorinë e Përgjithshme dhe drejtuesen e saj, Ina Rama. Përdor një citim të disa ditëve më parë të ish-presidentit italian, Kosiga. 

TIRANE- Topalli sulmoi sërish institucionin e pavarur dhe kushtetues, Prokurorinë e Përgjithshme dhe drejtuesen e saj, Ina Rama. Ditë më parë, SHBA-ja kërkoi pranë Topit garantimin e këtyre institucioneve, ndërsa kryetarja e Parlamentit shkon deri aty sa deklaron se, “do e kisha kapur me shkelma”. Topalli në një intervistë televizive për pyetjen, nëse është e penduar se ka zgjedhur Ramën në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, përdori një citim të disa ditëve më parë të ish-presidentit italian, Kosiga, për një rast pothuajse të ngjashëm. “Në emisionin ‘Porta-a-Porta’ po dëgjoja ish-presidentin italian, Kosiga, që fliste për prokurorin e atëhershëm të Italisë dhe u shpreh se mënyra e sjelljes së atij prokurori, mënyra e përdorimit, paraqitja publike aq e shpeshtë, ishte aq e shëmtuar, e aq jo kushtetuese, sa mendoja ta kapja me shqelma dhe ta nxirrja jashtë”, - tha mbrëmë Topalli. Sipas saj, Ina Rama nuk ka hapur asnjë dosje të korrupsionit të qeverisë së mëparshme, se pjesën më të madhe të denoncimeve i bën Task-Forca pranë Kryeministrisë, se “në prokurori flitet vetëm për dy çështje dhe për asnjë tjetër”. Në këtë rast, Topalli iu referohej hetimeve të rrugës Durrës-Kukës dhe asaj të Gërdecit. “Pse flitet për dy çështje në prokurori dhe jo për tjetër? Si ka mundësi që sot në 2009 s’kemi asnjë të dënuar për gjithë atë sistem korrupsioni të ngritur deri para 2005-s”, - u shpreh Topalli. Kryetarja e Parlamentit bëri të ditur se Prokurorinë e Përgjithshme e kanë ndihmuar në punën e saj duke i bërë dhuratë imunitetin dhe ajo, sipas Topallit, sërish nuk ka vepruar. “Dhuratë më të madhe se mund të bëjnë pushtetin, duke ia dhuruar prokurorisë imunitetin, kjo është diçka e madhe. Ne të dhurojmë imunitetin, merre, ec përpara”, - tha ajo. Duke e akuzuar Ina Ramën se përdoret politikisht, Topalli vlerësoi Dhori Sollakun si prokuror, pikërisht njeriun që ka sulmuar më shumë, se “ai nuk u përdor politikisht, por bëri kompromis me dosjet”. Sipas saj, Prokuroria ka pasur një histori të dhimbshme, madje Arben Rakipi ka akuzuar opozitën e atëhershme për krimet kundër njerëzimit. Topalli bëri të ditur se me miratimin e axhendës së Kuvendit parashikohet raportimi edhe i institucioneve të tilla të pavarura si Prokuroria e Përgjithshme. Radhën e parë maxhoranca, Kryeministri, kryetarja e Parlamentit e bojkotuan raportimin e Ina Ramës. Topalli e justifikoi këtë me faktin se “as pjesëtarë të opozitës nuk ishin të pranishëm gjatë raportimit të saj”. Nënkryetarja e PD-së e pranoi se ka pasur kompromis sa i takon shmangies e verifikimit të figurave të regjimit komunist, që janë pjesë aktive e politikës shqiptare. “Kompromisi ka qenë për dy ish-kryeministra, për një në 1990 dhe për Fatos Nanon. Është një lider i së majtës që e ka reformuar këtë të majtë. Sjellja e Nanos në 1997 është krejt ndryshe nga ajo e Ramës në 2009. Ky ligj është nisur nga ideja se në proceset demokratike, kur drejtuesit e qeverive kanë dorëzuar paqësisht pushtetin nuk përfshihen, me këtë përfitojnë dhe dy të tjerët”, - tha dje Topalli. Sipas saj, Gjykata Kushtetuese nuk mund të gjykojë një ligj të tillë, pasi gjyqtarët e saj, por edhe të Gjykatës së Lartë, në vendimin që marrin kanë edhe anën personale të tyre, që për Topallin, krijon konflikt interesi. “Këtë ligj ju thoni ta gjykojë Fehmi Abdiu. Ndërsa, unë këtu flas për rastin e Havzi Nelës, që është dënuar me varje me firmë të Fehmi Abdiut. Ju po thoni se do e çoj atje”.
Kryetarja e Parlamentit e konsideroi rutinë ndryshimin e delegacionit shqiptar në Strasburg. Topalli, ndër të tjera e konfirmoi se për një ndryshim të tillë nuk është konsultuar me Berishën. “Unë jam konsultuar me kryetarin e grupit parlamentar. Por, është kompetencë e kryetarit të Parlamentit dhe kryetarit të grupit parlamentar një zëvendësim i tillë dhe Rusmali do t’i japë një impuls tjetër përfaqësimit tonë atje”, - tha mbrëmë kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli.
Sa i takon faktit nëse ajo kishte ftesë zyrtare për betimin e Presidentit të SHBA-së, Obama, ajo sqaroi se kishte biletë për këtë ceremoni dhe se ishte 30 metra larg vendin ku bëhej betimi. “Ishte biletë, nuk e di se çfarë numri ka. Ishte brenda 7 radhëve të para. Unë ndihesha e nderuar. Sa i takon takimit me Klintonin, ishte lajm i rremë. Nuk ka pasur njoftim zyrtar për këtë takim”, - tha ajo.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›