E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli Qellimi yne kombetar integrimi ne Bashkimin Europian

Vizitën e saj në Strasburg në kuadër të Konferencës Europiane të Presidentëve të Parlamenteve të Këshillit të Europës, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli e nisi me një takim me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Jean-Claude Mignon. Presidenti Mignon e vlerësoi si të jashtëzakonshëm progresin që ka kryer Shqipëria, duke çmuar se, në një hark kohor kaq të shkurtër, ajo ndodhet në krye Këshillit të Europës për të dhënë kontributin e çmuar në promovimin e vlerave të kësaj organizate. Ai vlerësoi edhe rolin e  Kryeparlamentares Topalli në drejtimin e Parlamentit shqiptar.
“Shqipëria është një kandidate potenciale për t’iu bashkuar Bashkimit Europian. Unë jam një parlamentar francez, dhe sigurisht unë e monitoroj me shumë interes progresin e vendit tuaj në rrugën e integrimit. Dua gjithashtu të përgëzoj kryetaren Topalli për mënyrën sesi e drejton debatin politik në Parlament. Dhe nuk ka qenë aspak e lehtë. Në fakt komitetit të ministrave dhe Asamblesë Parlamentare i është dashur të ndërhyje për tu siguruar që mazhoranca dhe opozita të punonin së bashku. Mendoj se rezultati erdhi falë kontributit tuaj", vlerësoi Mignon.
Më pas zonja Topalli iu adresua konferencës, duke theksuar që në fillim se Shqipëria është krenare për mbështetjen e miqve të saj, ndërsa më 28 nëntor shqiptarët festojnë përmes arritjesh historike 100 vjetorin e pavarësisë së vendit. 
“Kjo përbën një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombi tonë të vjetër, ajo është diamanti mbi kurorë. Sot, Shqipëria është vend i lirë, anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut. Kush do ta kishte menduar disa vite më parë që Shqipëria do të merrte Kryesinë e një organizate kaq të madhe, si këshilli i Europës? Bëmë të mundur atë që dukej e pamundur!”, u shpreh Topalli. 
Pikërisht këtë mesazh kryeparlamentarja e solli në konferencë si leksion shqiptar, nisur nga arritjet e mëdha të vendit përmes, vështirësive, po ashtu të mëdha. Sot fjala më e shqiptuar është kriza, deklaroi ajo, por  e sigurt është se aftësia e kapërcen atë.
“Demokracitë janë gjithmonë në sprovë. Kriza është më e madhe edhe se ne të bashkuar. Nga eksperienca e vendit tim mund t’ju them sërish se “është e mundur ajo që duket e pamundur.  Shqipëria ka një demokraci të re. Është me të vërtetë një periudhë e shkurtër, por intensive. Demokracia në vendin tim është si një vajzë e re, e mbushur me shpresa dhe dëshirën për t’i bërë realitet. Dy dekada më parë shqiptarët lejoheshin të lëviznin mbasi merrnin autorizimin përkatës nga strukturat e regjimit, vetëm brenda vendit të tyre të vogël. Sot, me një demokraci që zhvillohet me hapa të mëdha shqiptarët lëviznin të lirë në hapësirën “Shengen”.  Njëzet vite më parë Shqipëria do të njihej si vendi më i izoluar i botës. Sot Shqipëria drejton Komitetin e Ministrave e Këshillit të Europës “Është e mundur ajo që duket e pamundur!” Ndryshe nga vendet që kufizohen me Shqipërinë, por jo vetëm, vendi ynë nuk u prek nga recesioni. Zhvillimi i mëtejshëm i Shqipërisë dhe integrimi në Bashkimin Evropian është qëllimi ynë kombëtar. Këto janë sfidat e ardhshme të Shqipërisë”, veçoi ajo.
Referuar dhe ngjarjeve të fundit në Benghazi, ku u vra ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Topalli tha se sidoqoftë nuk është iluzive shpresa e ndërtimit të demokracisë, kudo. Sipas saj, Shqipëria si kryesuese e KiE-së është një vend multifetar dhe mund t’u ofrojë këtyre vendeve shembullin më të shkëlqyer se besimet fetare, te gjitha, janë plotësisht te pajtueshme, si me sistemin demokratik të qeverisjes, ashtu edhe me të drejtat dhe liritë universale të individit. Gjatë fjalës në këtë konferencë j zonja Topalli ftoi disa vende të Bashkimit Europian dhe të NATO-s, që ende nuk e kanë njohur ende Kosovën, ta ndërmarrin këtë hap.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›