E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli Rajoni bashkepunim per te pasur paqe dhe stabilitet

Kryetari i Kuvendit të Republika Srpska, të Bosnje-Hercegovinës, Igor Radojicic, ka mbërritur në Shqipëri së bashku me deputetë, por edhe përfaqësues të dhomës së tregtisë dhe të rreth 20 kompanive të interesuara për bashkëpunim ekonomik.

Kryetarja e Kuvendit Topalli dhe Radojicic diskutuan për integrimin, bashkëpunimin rajonal, për të zhvilluar vendet dhe për të ecur përpara.

Duke i uruar mirëseardhjen Radojicicit, kryetarja e Kuvendit tha se ka kënaqësinë ta presë në këtë vizitë.

Duke falenderuar Kryetaren e Kuvendit për ftesën, Radojicic tha se ky takim është një mundësi e jashtëzakonshme, jo vetëm për të forcuar kontaktet mes dy parlamenteve, por për të hapur perspektivat e bashkëpunimit, veçanërisht atij ekonomik.

Duke u ndalur në zhvillimet rajonale, Kryetarja e Kuvendit tha se “Ne duhet të bashkëpunojmë, të njohim njëri-tjetrin më afër, për të pasur paqe e stabilitet në të mirë të popujve dhe vendeve tona.

Duke ndarë të njëjtin mendim me Kryetaren e Kuvendit, Radojicic theksoi se," vendet e rajonit nuk duhet të qëndrojnë të vetmuara por duhet të bashkëpunojnë me vizion të qartë për proceset integruese".

Jozefina Topalli dhe Radojicic biseduan mbi projekte të bashkëpunimit konkret ekonomik, veçanërisht në turizëm, bujqësi, si dhe shkëmbime tregtare.

Kryetari i Kuvendit të Republika Srpska, të Bosnje-Hercegovinës, Igor Radojicic ftoi kryetaren e Kuvendit për një vizitë zyrtare në vendin e tij, si dhe për të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë për të drejtat e njeriut që organizohet së afërmi në Repubulika Srpska.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›