Topalli: Rama dhe shokët e tij, të mos më bëjnë presion
Zëdhënësja e kryetares së parlamentit shqiptar Suela Ruseti ka reaguar lidhur me deklaratat e kreut të PS-së Edi Rama, të bëra sot paradite lidhur me sjelljet e Topallit pas emërimeve te fundit ne drejtesi nga Presidenti Bamir Topi. Deklarata e Ramës erdhi pas nje veprimi te kryeparlamentares per të verifikuar statusin e 5 personave, të emëruar në këto pozicione nga vetë presidenti Topi, për në institucionet gjyqësore. “Çdo formë presioni ndaj parlamentarizmit është pa efekt. Edi Rama dhe shokët e tij nuk do t’i tregojnë institucionit të Parlamentit se si të punojë. Nuk ka pasur asnjë shkelje të Kushtetutës. Parlamenti do të vazhdojë me ecurinë e reformave”- tha Ruseti.
Kryetari i selisë Rozë, Edi Rama, është shprehur sot se Kryetarja e Kuvendit abuzon me detyrën duke shkelur kushtetutën. "Ne do te kerkojme shkarkimin e saj, - tha Rama. “Jozefina Topalli ka cenuar rëndë liritë themelore të 5 shtetasve të Republikës së Shqipërisë. Këta shtetas janë 5 kandidatë të dekretuar nga Presidenti i Republikës si anëtarë të Gjykatës së Lartë. Emrat e tyre Jozefina Topalli i’a ka çuar policisë në kuptimin e plotë të fjalës” – tha Rama. “Kryetarja e Kuvendit ka kërkuar nga Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme, prova të pafajësisë së tyre, duke kapërcyer jo vetëm çdo kufi të ligjit, por edhe të imagjinatës”.
Rama thotë se zonja Topalli ka marrë kompetencat e kreut të shtetit dhe ka dhunuar personalitetin njerëzor e profesional të 5 njerëzve të ligjit që Kushtetuta i mbron nga veprime të tilla policeske.
Ndërkohë ai i ka bërë thirrje kryeministrit Sali Berisha të distancohet nga ky akt i pashembullt deformimi i funksionit të spikeres së parlamentit dhe të kërkojë nisjen e menjëhershme të procedurave parlamentare për votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës.